Lidhje

Filmi Besa përsëri në zonën e Uashingtonit


Një film me titullin “Besa” që flet për shpëtimin e hebrejve nga shqiptarët gjatë Luftë së Dytë Botërore, u prit me emocione në Festivalin e Filmit Hebraik që po zhvillohet këto ditë në zonën e Uashingtonit. Filmi me regjisore Rachel Goslin, flet mes të tjerash, për historinë e një shqiptari mysliman, të cilit i duhet të përmbushë premtimin ndaj një familjeje hebraike. Kjo është familja, që i ati e tij e ka strehuar gjatë luftës. Kolegu ynë Ilir Ikonomi na sjell këtë kronikë.


Në një qendër të komunitetit hebre në Rockville pranë Uashingtonit, Festivali i Filmit Hebraik në bashkëpunim me organizatën ASHA, Akademia Shqiptaro-Amerikane, shfaqi dokumentarin Besa, që flet për një histori jo shumë të njohur në botë: shpëtimin e hebrejve nga shqiptarët gjatë Luftës.

Producenti i filmit, Jason Williams thotë se e shtyu një arsye e fortë për t’u marrë me këtë dokumentar:

“Filmi u bë sepse kjo është ndër ato historitë e jashtëzakonshme të cilën e di çdo shqiptar, por pjesa tjetër e botës nuk e ka dëgjuar kurrë. Është një ndër ato histori që duhet treguar, aq më tepër që është një histori e cila po harrohet.”

Johanna Newmann ishte fare e vogël kur familja e saj mori vizë nga ambasada e Mbretit Zog në Berlin për të ardhur në Shqipëri. Familja mendonte se do të mund të udhëtonte nga Shqipëria për në Amerikë, por më 7 prill 1939 vendi u pushtua dhe ata u bllokuan në Durrës.

Johanna tregon në film se si familja u mbrojt nga shqiptarët. Por kur vendi u pushtua nga Gjermania, gjendja për hebrejtë në Shqipëri u bë jashtëzakonisht e rrezikshme.

“Fakti është se jo vetëm populli shqiptar me bujari dhe trimëri shpëtoi hebrej gjatë luftës, por qeveria e tyre e asaj kohe bashkëpunoi me këta individë, që hebrejtë të mos kishin frikë se mund t’i dorëzonin tek gjermanët kur këta kishin pushtuar Shqipërinë. Pikërisht ky bashkëpunim bëri të mundur që të gjithë ne të shpëtoheshim në Shqipëri.”

Gilbert Galanxhi, ambasador i Shqipërisë në SHBA thotë se është hera e dytë që filmi shfaqet në zonën e Uashingtonit.

“Me kënaqësi vë re se akoma ka etje për ta parë filmin. Me kënaqësi vë re që një nga protagonistet kryesore të filmit, zonja Johanna Newmann është kaq aktive dhe kaq e pakursyer për të treguar historinë e shqiptarëve, një histori e vërtetë që vlen të tregohet, jo vetëm për atë që ka ndodhur vite e vite më parë por më tepër për t’u treguar brezave që vijnë se si mund të jetohet në harmoni, pavarësisht dallimeve fetare apo racore.”

Askush nuk u shpëton dot emocioneve pas shfaqjes. Geraldine Popa – Schechter është shqiptaro-amerikane, që i çmon shumë cilësitë e popullit shqiptar.

“Nuk mund t’jua shpreh dot se si ndihem. Sepse jo një apo dy por të gjithë shqiptarët vepruan ashtu. Ka shumë rëndësi që njerëzit ta dinë këtë. Unë jam shumë e afërt me njerëzit e mi, me fisin tim në Shqipëri. Prandaj, kur dëgjoj se sa bujarisht u sollën këta njerëz, kjo ka një kuptim të madh për mua dhe për bashkëshortin tim, i cili nuk është shqiptar. Dëshiroj që edhe fëmijët e mi ta shohin këtë film.”

Bledar Prifti është president i organizatës ASHA.

“Njëri nga misionet që ka Akademia Shqiptaro-Amerikane është pasurimi i jetës kulturore dhe mbajtja e traditave dhe e gjuhës shqipe këtu në Shtetet e Bashkuara. Ne do të dëshironim që kjo histori kaq humane të kishte një prezantim edhe këtu në SHBA, prandaj Bordi i Akademisë Shqiptaro-Amerikane në bashkëpunim me kompaninë prodhuese të filmit ka sponsorizuar sot këtë aktivitet, me shpresën që ajo pjesë e historisë së shqiptarëve të bëhet e njohur sa më mirë edhe këtu.”

Genta Arovas: “Mu bë qejfi. Unë jam e shoqëruar me disa miq amerikanë që janë me origjinë hebraike dhe i solla të tërë në film. U la mbresa shumë të mira dhe është një nga filmat e paktë që nxjerr karakterin e vërtetë të shqiptarëve. Në botë Besa nuk është e njohur shumë, por është cilësi shumë e mirë e karakterit.”

Një nga protagonistët e filmit është Rifat Hoxha, i cili është i vendosur të shkojë në Izrael për t’i dorëzuar tre libra familjes hebraike që i ati i tij strehoi gjatë luftës.

Lirim Mezini: “Veçanërisht zoti Rexhep. E kam njohur dikur, por nuk e dija që ishte kaq këmbëngulës. Ai është shqiptar dhe shqiptarët janë këmbëngulës në mbajtjen e besës. Por Rexhepi dallon nga ata, tani që e pamë edhe në film.”

Artur Elezi, Profesor i Asociuar, Universiteti Amerikan: “Është mjaft për t’u admiruar dhe mendoj se edhe në këto kohëra ne duhet t’i kthejmë sytë mbrapa dhe të shikojmë anët e mira të kombit tonë, siç riafirmohen edhe në këtë film.”

Sipas statistikave, Shqipëria është vendi i vetëm në Evropë që pati një numër më të madh hebrejsh në mbarim të luftës se sa në fillim të saj, një histori pozitive që shumë njerëz mendojnë se vlen të bëhet më e njohur.

XS
SM
MD
LG