Lidhje

Filmi i ri "Chi-raq" për forcën e gruas


Regjizori Spike Lee
Regjizori Spike Lee

Në filmin e fundit të regjisorit Spike Lee, Chi-raq – një fjalë e përbërë nga dy emra: Çikago dhe Irak – lufta mes bandave përfshin lagjen jugore të Çikagos. Të ballafaquara me këtë tragjedi, nënat që kanë humbur fëmijë nga dhuna vendosin të mos kenë marrëdhënie seksuale me bashkëshortët apo të dashurit, deri kur bandat të ndalin dhunën në lagje. Kineasti Lee e gjen frymëzimin tek komedia satirike greke Lisistrata nga dramaturgu i lashtësisë Aristofani.

Në një lagje të Çikagos ka plasur dhuna. Gratë dhe të dashurat e pjesëtarëve në dy banda rivale, Spartanët dhe Trojanët, shohin para syve dhunë dhe vrasje, të cilat u marrin jetën njerëzve të tyre të dashur. Por, atyre u shteron durimi kur vritet nga një plumb qorr një vajzë 11-vjeçare që po luante përjashta. Të nxitura nga Lisistrata, gruaja e Chiraq-uk, kreut të bandës Spartanët, gratë vendosin të veprojnë.

Filmi analizon forcën e gruas për të ndalur dhunën. Ashtu si komedia greke Lisistrata, skenari i filmit është shkruar në vargje.

Regjisori Spike Lee thotë për Zërin e Amerikës se bojkoti seksual kundër luftës nuk është diçka qesharake, por një zgjidhje e provuar në realitet.

“Në Liberi pati bojkot seksual, më duket në 2004. Një grua e quajtur Lima Guabi fitoi Çmimin Nobel të Paqes për këtë taktikë me qëllim që të ndalte një luftë të dytë civile në Liberi. Pra ka funksionuar në Greqinë e lashtë dhe në Liberi. Sot një grua që pa reklamën për filmin vendosi që të fillojë një bojkot të tillë në Çikago”.

Filmi shtjellon tema politike e sociale, që nga varfëria, papunësia, racizmi dhe nevojën për kontrollin e armëve.​

“Mendoj se duhet të rikthejmë respektin për jetën. Jeta është e shtrenjtë, është e vyer,” thotë regjizori Lee.

Filmi kritikon Shtetet e Bashkuara për financimin e dy luftrave jashtë vendit, pa u marrë me dhunën në vend. Por, kineasti e pranon që terrorizmi ndërkombëtar është një sfidë serioze:

“Nuk jam nga ata që dalin me flamur në dorë. Por shumë nga këto veprime kanë pasoja. Nuk mendoj se asnjëri prej nesh është plotësisht i pafajshëm në botën e sotme”.

Ashtu si komedia e Aristofanit 2500 vjet më parë, filmi Chi-raq përmban një mesazh mijëravjeçar për fuqinë e gruas për shuarjen e konflikteve.

XS
SM
MD
LG