Lidhje

Një udhëtim imagjinar nëpër ishujt në jug të Floridës


Në juglindje të Shteteve të Bashkuara, aty ku mbaron gadishulli i Floridës, shtrihet një varg ishujsh të vegjël, por me emër dhe bukuri të madhe

Në juglindje të Shteteve të Bashkuara, aty ku mbaron gadishulli i Floridës, shtrihet një varg ishujsh të vegjël, por me emër dhe bukuri të madhe. Këta ishuj, që janë pjesë e shtetit Florida shtrihen në një zonë të pasur me florë dhe faunë tropikale të dy mjediseve ujore masive, ku në lindje ndodhet Oqeani Atlantik dhe në perëndim Gjiri i Meksikës. Gjatë shekujve, këto ishuj kanë qenë strehë piratësh të cilët sulmonin anijet që përshkonin këto ujëra, objekt frymëzimi për shkrimtarë e piktorë dhe një pikë e preferuar turistike për amerikanët. Në vazhdim një prezantim i shkurtër me ishujt jugorë të Floridës.

Evropiani i parë që vizitoi ishujt që shtrihen në jug të gadishullit të Floridës ishte eksploruesi Ponce de Leon në vitin 1513. Ai po kërkonte një ujë special që do t’u garantonte njerëzve rininë e përjetshme. Por kërkimet e tij përfunduan pa rezultat. Vite më pas, eksplorues të tjerë spanjollë përpiluan hartën e rajonit për t’u ardhur në ndihmë anijeve që ktheheshin në Spanjë.

Shumë nga ishujt ende kanë emra spanjollë si Islamorada, apo Bahia Honda. Ishujt në anglisht njihen me emrin ‘keys’, që rrjedh nga fjala spanjolle ‘cayos’ e cila do të thotë ‘ishull i vogël’. Shumë ishuj janë të vegjël, shpesh vetëm disa metra katrorë dhe shërbejnë si vandbanime zogjsh.

Megjithatë ka një numër ishujsh ku janë ngritur qytete me disa mijëra banorë. Më i njohuri mes tyre është ishulli Key West, i cili ndodhet në pikën më jugore të këtij vargu.

Ishujt jugorë të Floridës lidhen me njëri-tjetrin dhe me gadishullin e Floridës me autostradën numër 1 të Floridës. Autostrada merr formën e një ure në një pjesë të madhe të rrugës, duke përshkuar hapësirat ujore që shtrihen mes ishujve. Shpesh rruga e ngushtë është tepër e ngarkuar me pushues dhe turistë që vizitojnë jo vetëm komunitetet që jetojnë në këto ishuj, por edhe florën dhe faunën e pasur të zonës.

Autostrada e ishujve jugorë të Floridës përfshin edhe një vepër që dikur konsiderohej si një mrekulli e inxhinierisë. Ura me emër Seven Mile Bridge shtrihet për 11 kilometra. Kur u ndërtua në vitin 1911, ajo ishte ura më e gjatë mbi një hapësirë ujore. Por, nuk është vetëm gjatësia e saj që e bën objekt me interes. Ura Seven Mile Brigde është projektuar në mënyrë të tillë që t’u rezistojë stuhive të fuqishme të oqeanit, përfshirë një stuhi tepër të fortë që dëmtoi ishujt në vitin 1935. Aktualisht ura e vjetër vazhdon të ekzistojë, por nuk përdoret më si pjesë e autostradës, pasi në vitin 1982 u zëvendësua nga një urë e re.

Me kalimin e viteve, popullariteti i ishujve është rritur gjithnjë e më shumë. Si rezultat i klimës tropikale, ishujt jugorë të Floridës janë tepër popullorë sidomos gjatë stinës së dimrit, kur amerikanët nga zonat e ftohta më në veri vijnë për të kaluar disa ditë apo javë në plazh.

Shumë prej ishujve kanë plazhe me rërë të bardhë dhe frekuentohen nga banorë e pushues që pëlqejnë notin dhe shëtitjet me varka. Për ata që duan të njihen më nga afër me aktivitetin shekullor të ishujve, ka kompani që ofrojnë mundësinë për të dalë në det të hapur me një anije peshkimi, përkundrejt një pagese.

Përveç anijeve të peshkimit, ka një numër kompanish që japin me qera për disa orë ose disa ditë jahte luksoze që ofrojnë edhe pijet dhe ushqimin dhe nëse kërkohet, edhe artistë për argëtim, për një grup pushuesish.

Por nuk është e nevojshme të dilni në det të hapur me jaht për argëtim. Ishujt jugorë të Floridës ofrojnë një larmi muzikore që nuk e gjen kund tjetër. Në këto ishuj, ka një ndërthurje të muzikës kubane, muzikës së Karaibeve, apo thjesht kompozime tradicionale amerikane nga artistë që janë frymëzuar nga këto ishujt. Një ndër më të njohurit është Jimmy Buffet. Ai njihet si këngëtar i muzikës rok, i influencuar nga një numër rrymash të tjera, që nga country e deri tek muzika e Karaibeve. Kënga e tij e famshme ‘Margaritaville’ është kolona zanore e udhëtimit tonë përgjatë urës që na çon në pikën më jugore të Floridës, në ishullin Key West.

Qyteti i Key Westit është relativisht i vjetër. Shumë nga shtëpitë në këtë qytet janë mbi 100 vjeçare. Përgjatë rrugëve të qytetit sheh shtëpi të lyera në bojë të bardhë, të kaltër, apo rozë. Oborret janë të mbushura me lule, që falë klimës së ngrohtë, janë vazhdimisht në lulëzim.

Nëse ecën deri në fund të rrugës Whitehead, shumë shpejt arrin në skajin më jugor të ishullit, në brigjet e oqeanit, ku është vendosur një tabelë me fjalët ‘Këtu Fillon Amerika’.

Jo larg prej aty, ndodhet shtëpia e shkrimtarit të famshëm Ernest Heminguej. Për një çmim modest, vizitorët mund të futen brenda dhe të ndjekin shpjegimet e ciceronit për vitet që kaloi shkrimtari në këtë shtëpi, kur ai mbante plot mace rrotull. Macet janë ende të pranishme dhe i shikon kudo në stolat e kopshtit dhe mjediset e shtëpisë.

Për ata turistë që duan tjetër formë argëtimi, mund të jetë me interes Muzeu i Historisë së Marinës, ku vizitorët mund të shohin skeletin e anijes Nuestra Senjora de Atocha, një anije e famshme spanjolle, e ngarkuar me thesare, që u fundos në këto ujëra. Vizitorët mund të marrin në dorë një shufër ari me vlerë prej mijëra dollarësh. Nëse dëshiron mund të blesh, me çmim shumë të lartë, monedha spanjolle nga thesari që u gjet në anijen e fundosur, ose për pak dollarë mund të blesh një kopie të monedhës.

Nëse doni të kaloni një ditë të tërë me një aventurë të veçantë, mund të prenotoni një biletë në një anije të shpejtë që ju çon në Parkun Kombëtar Dry Tortugas, ku ndodhet edhe një fortesë e madhe ushtarake e ndërtuar që para Luftës Civile Amerikane të viteve 1860.

Por ka edhe argëtime që nuk kërkojnë para apo lodhje të madhe. Mjafton të shkosh në qendrën e vjetër të Key Westit dhe të shohësh perëndimin e diellit në buzë të oqeanit. Mbrëmja bëhet edhe më e këndshme, falë argëtuesve që mbushin sheshin. Aty gjen zjarr-ngrënës, akrobatë e magjistarë që zbavisin turmën.

Mbrëmjen mund ta mbyllni në një nga restorantet e shumta të traditës së gatimit kuban apo karaib, apo duke bërë pazar për suvenire në rrugën Duval. E si gjithmonë, në këtë udhëtim na shoqërojnë tingujt e këngëtarit Jimmy Buffett.

XS
SM
MD
LG