Lidhje

Shteti Islamik merr përgjegjësinë për sulmet


Grupi Shteti Islamik mori përgjegjësinë për sulmet vdekjeprurëse mbrëmë në Paris.

Grupi terrorist bëri sot një deklaratë, ku thuhej se sulmet ishin kryer në përgjigje të sulmeve ajrore kundër ISIS-it.

Presidenti francez Francois Hollande shpalli sot tri ditë zie kombëtare, pas sulmeve të njëkohëshme që shkaktuan të paktën 129 të vrarë në gjashtë pika të ndryshme në Paris. Udhëheqësi francez fajësoi Shtetin Islamik për natën e tmerrshme që përjetoi vendi dhe i cilësoi sulmet “ një akt lufte”.

Duke u zotuar për gjetjen e autorëve të sulmit, presidenti Hollande tha se “Franca do të triumfojë mbi këtë vepër barbare”. Ai tha se forcat franceze të sigurisë të janë mobilizuar në nivelin më të lartë.

Në Paris është vendosur gjendja e jashtëzakonshme, pas sulmeve gjatë të cilave autorët përdorën armë automatike dhe kishin veshur jelekë me bomba vetëvrasëse.

Authoritetet thonë se besojnë se kanë qenë 8 persona që kryen sulmet, të cilët u vranë të gjithë, disa nga shpërthimet vetëvrasëse, të tjerët nga forcat e sigurisë. Ndërkohë janë duke u kryer kërkime për mundësinë e terroristëve të tjerë, apo bashkëpunëtorëve të tyre që mund të jenë fshehur në Paris dhe në periferinë e kryeqytetit francez.

Presidenti Hollande i kërkoi banorëve të Parisit që të qëndrojnë brenda sot. Shumë nga dyqanet e qytetit janë të mbyllura dhe nëpër rrugë janë vendosur rreth 1 mijë e 500 ushtarë. Presidenti francez anuloi vizitën e tij për në Turqi, ku nesër është në plan të fillojë takimi i G-20-ës.

Zoti Hollande urdhëroi mbylljen e kufijve të Francës, një veprim i paprecedent në Europën e shekullit të 21-të. Megjithatë, aeroportet kryesore të vendit janë të hapura dhe trenat funksionojnë si zakonisht.

XS
SM
MD
LG