Lidhje

Franca do të shtojë trupat në Mali


Franca po shton kontigjentin e forcave të saj në Mali, duke dërguar tabke dhe automjete të blinduara në atë vend, ndërsa vazhdon sulmet ajrore kundër militantëve ekstremistë në veri. Franca ka në plan të shtojë praninë e saj ushtarake në Mali – që tani përbëhet nga 750 trupa – derisa një forcë e udhëhequr nga vendet afrikane të dislokohet aty për të ndihmuar ushtrinë e Malit të përballë militantët islamikë, që kontrollojnë veriun e vendit.

Presidenti Francois Hollande, tha sot se trupave të Afrikës Perëndimore mund t’u duhet rreth një javë për t’u vendosur.

Shtetet e Bashkuara njoftuan dje se janë duke u përgatitur për t’i ofruar Francës mbështetje logjistike. Sekretari i Mbrojtjes Leon Panetta tha se SHBA-ja deri tani ka dhënë informacione zbulimi të mbledhura nga avionët pa pilotë që veprojnë në rajon.

Franca dislokoi forca ushtarake në Mali të premten. Gerard Araud, ambasador i Francës në Kombet e Bashkuara, tha se qeveria vendosi të ofrojë ndihmë ushtarake për shkak të shqetësimeve se rebelët mund të merrnin në zotërim kryeqytetin.

"Pyetja është nëse grupet e armatosura në veri, që duan të negociojnë, do ta shohin këtë si dëshmi të faktit se nuk ka rrugë tjetër përveç negociatave. Ne do të mbrojmë Bamakon. Do t’u tregojmë grupeve të armatosura në veri se nuk mund ta marrin atë me forcë dhe se vendosmëria e Francës është e plotë. Ne nuk do të lejojmë që pjesa jugore e vendit, me 13 milionë banorët e saj, të bjerë në duart e grupeve terroriste."

Zoti Araud tha se një gjeneral nigerian, i cili do të drejtojë forcën afrikane, është tashmë në kryeqytetin e Malit, Bamako. Edhe vendet fqinje Nigeri, Burkina Faso dhe Senegali premtuan të dërgojnë trupa.

Sonny Ugoh, drejtor i komunikimeve i Bashkimit Ekonomik të Shteteve të Afrikës Perëndimore, i tha Zërit të Amerikës se disa nga 3 mijë trupat e autorizuara prej Këshillit të Sigurimit të OKB-së muajin e kaluar do të arrijnë në Mali duke filluar nga dita e sotme.

Grupe ekstremistësh islamikë të lidhur me Al-Kaidën morën kontrollin e pjesës veriore të Malit, pak pasi disa anëtarë të ushtrisë vendosën të dezertonin dhe përmbysën qeverinë në mars, duke krijuar një zbrazëti të përkohshme pushteti. Në veri të vendit, militantët kanë imponuar zbatimin e ligjeve konservatore islamike.

Mali është një ish koloni franceze dhe Franca ka ende në atë shtet interesa të ndryshme ekonomike dhe politike.
XS
SM
MD
LG