Lidhje

Franca shton personelin e sigurisë


Franca njoftoi se do të shkurtojë 7 mijë e 500 vende punë në ushtri më pak se sa kishte parashikuar, për të intensifikuar përpjekjet kundër terrorizimit, pas sulmit të këtij muaji në Paris.

Pas takimit me këshilltarët e sigurisë kombëtare, zyra e presidentit Francois Hollande njoftoi se shkurtimet në ushtri për periudhën 2015 – 2019 do të jenë 18 mijë e 300 dhe jo 25 mijë e 800 sa ishte vendosur më parë.

Ndërkohë kryeministri francez Manuel Valls thotë se Franca do ta shtojë numrin e personelit të sigurisë me 2,680 vende të reja në tre vitet e ardhshme, për të përballuar kërcënimin e ekstremizmit islamik. Zoti Valls tha sot se Parisi do të shpenzojë rreth 500 milionë dollarë, për luftën kundër terrorizmit.

Po sot, hetuesit francezë thanë se kanë ngritur akuza ndaj katër personave për lidhje me sulmin në një supermarket në Parisin lindor, ku u vranë 4 vetë.

Prokurorët thanë se personat e arrestuar dyshohet se kanë mbështetur autorin e sulmit, Amedy Coulibaly-n, i cili më pas u vra nga policia.

XS
SM
MD
LG