Lidhje

Francë, reagime pas zgjedhjeve


Partitë e qendrës së djathtë në Francë dolën të parat në zgjedhjet lokale, duke mposhtur partitë e ekstremit të djathtë, një muaj pas sulmeve terroriste në Paris nga radikalët islamikë. Rezultatet e para tregojnë se partia republikane e ish presidentit Nicolas Sarkozy dhe aleatët e tij të qendrës së djathtë udhëheqin në 7 nga 13 rajonet franceze, përfshi zonën Ile de France të Parisit dhe rrethinat e tij. Socialistët në fuqi dhe partitë e tjera të majta kanë të fituar në të paktën pesë rajone. Nacionalistët fituan në Korsikë.

Banorët në qytetin verior të Lilës thanë se ndërsa ishin të kënaqur nga humbja e partive të ekstremit të djathtë, politikanët duhet të jenë të kujdesshëm ndaj kërkesave të popullit francez për ndryshim.

Fronti Kombëtar, partia e ekstremit të djathtë të Marine Le Pen nuk fitoi në ndonjë rajon, një goditje kjo për shpresat e saj për një kandidaturë presidenciale në vitin 2017.

Fitorja e shtatë zonave nga konservatorët dhe pesë nga socialistët pas balotazhit, nuk mund të konssiderohet si fitore e vërtetë për asnjërën nga partitë kryesore, të tronditura nga thirrjet në rritjet të ekstremit të djathtë ndaj votuesve të zhgënjyer.

Bruno Knockaert, një sekser që jeton në Lile, kryeqyteti administrativ i rajonit verior ku Le Pen shpresonte të fitonte, thotë se megjithë humbjet në raundin e dytë, Fronti Kombëtar ka ndryshuar pejsazhin politik në Francë.

"Jam i kënaqur që Fronti Kombëtar humbi pasi ata kishin një program politik që për mendimin tim nuk është i mirë. Mirë apo keq për votuesit e saj, ajo mbetet një parti pretendente. Mendoj se është pak më shumë se kaq. Mendoj se të ashtuquajturit politikanë tradicionalë duhet të kuptojnë se ka një lloj nervozizmi mes votuesve francezë. Duke filluar nga tani, duhet të konsiderojmë se në Francë ka tri parti politike kryesore," thotë Bruno Knockaert.

Të nxitur nga frika rreth sigurisë dhe imigracionit pas sulmeve të militantëve islamikë në Paris një muaj më parë që vranë 130 persona, Fronti Kombëtar kishte fituar më shumë vota se çdo parti tjetër në nivel kombëtar në raundin e parë të zgjedhjeve.

Jerone Magiera, tregtar në Lile, thotë se taktikat e përdorura nga socialistët në fuqi të cilët tërhoqën kandidatët e tyre nga rajonet ku ishin në vendin e tretë, për të bllokuar Frontin Kombëtar, nuk ishin demokratike.

"Përsa i përket organizimit të përgjithshëm të këtyre zgjedhjeve dhe aleancave të ndryshme politike të krijuara, më duken qesharake. Pavarësisht opinioneve tona politike, ne bllokuam një parti demokratike franceze. Ne e bllokuam atë pa ndonjë debat zyrtar mbi këtë çështje. Sot të gjithë e dinë rezultatin. Franca vazhdon të jetë e ndarë. Sot është interesante ajo që thonë politikanët: populli francez kërkon ndryshim. Si do të vij ky ndryshim? Kjo është çështja. Njerëzit duan që gjërat të ndryshojnë," thotë Magiera.

Le Pen, e cila kishte shpresuar ta përdorte pushtetin rajonal si një trampolinë për të shtuar shanset e saj në zgjedhjet presidenciale 2017, humbi me një diferencë të madhe në Francën veriore të djelën, ku ajo ishte në krye të listës së partisë së saj duke tërhequr 42.8 për qind të votave në balotazh, nga 57.2 përqind të konservatorëve.

XS
SM
MD
LG