Lidhje

Përvjetori i trazirave në Francë


Në Francë, sulmet terroriste të janarit dhe frika se mund të ketë incidente të tjera, janë duke e kthyer vëmendjen drejt rrethinave të lëna pasdore të qyteteve. Lagjet ku strehoen shumë emigrantë, shpesh herë me nivel të lartë kriminaliteti, u tronditën nga trazira rreth një dekadë më parë pas vdekjes me pistoletë elektrike të dy të rinjve në vitin 2005.

Sot është ditë pazari në Clichy-sous-Bois. Një kohë për të biseduar dhe për të blerë produkte nga vendet e tyre. Shumë banorë këtu kanë emigruar nga Afrika veriore dhe ajo nën-Sahariane. Ishin në kërkim të mundësive më të mira.

Jo të gjithë gjetën çfarë dëshironin. Në vitin 2005, kjo rrethinë e Parisit shpërtheu në dhunë pasi dy adoleshentë u vranë me armë elektrike duke iu larguar policisë. Shumë njerëz këtu thonë se zemërimi i mbledhur për shkak të mungesës së vendeve të punës ndihmoi në përhapjen e trazirave në të gjithë vendin.

Sot, Clichy-sous-Bois duket krejt ndryshe. Shteti ka investuar shumë në infrastrukturë. Banorë të hershëm, si Yaya Jaiel, nga Algjeria, lavdërojnë rezultatet.

“I prishën gjithë ndërtesat e vjetra dhe i zëvendësuan me këto ndërtesa të vogla që shikoni. Shumë gjëra kanë ndryshuar.”

Por, disa gjëra nuk kanë ndryshuar, shprehet 18-vjeçari Mehdi Hassani, që studion për elektriçist.

“Është shumë e vështirë të gjesh punë, në veçanti nëse je nga kjo zonë. Ende na identifikojnë me trazirat e vitit 2005. Na shikojnë ende si kriminelë dhe drogaxhinj.”

Pothuajse gjysma e popullsisë në Clichy është nën moshën 25 vjeç. Më shumë se një e treta e tyre janë të papunë. Është duke u ndërtuar një linjë trami, por tani për tani e vetmja mënyrë udhëtimi është makina.

Pierre Mouget drejton agjensinë “Mission Locale”, e cila ndihmon të rinjtë të gjejnë punë.

“Kemi një problem transporti, që është shumë i vështirë në Clichy, dhe është arsyeja pse ka shumë pak biznese këtu.”

Sulmet në Paris këtë janar e rikthyen sërish vëmendjen në rrethinat e lëna pas dore të Francës. Të tre sulmuesit islamistë ishin nga këto zona.

Aktivisti Mehdl Bigaderne thotë se rrethina si Clichy nuk kanë gjasa të prodhojnë më shumë terroristë krahasuar me zona të tjera të Francës. Pas trazirave, ai ka krijuar ACLEFEU, një organizatë për fuqizimin e qytetarëve. Ai thotë se vendi shqetësohet me të drejtë për brezin e ri.

“Pyetja e vërtetë është se si arritëm në këtë situatë? Pasi këta të rinj që kryen këto akte barbare nuk erdhën nga Iraku, apo Algjeria, apo Maroku. Ata janë produkte të Francës.”

Në Clichy-sous-Bois ende mbahet zi për Zyed Benna dhe Bouna Traore, dy djemtë që u vranë me armë me rrymë elektrike 10 vjet më parë. Dy punonjë policie vazhdojnë të jenë në proçes gjyqësor të akuzuar se nuk parandaluan vdekjet. Një vendim pritet të jepet në muajin maj. Por, mbetet edhe më shumë punë për të kaluar sfidën më të madhe, atë të shërimit të plagëve sociale dhe të lëvizjes përpara.

XS
SM
MD
LG