Lidhje

Francë, Identifikohet ideatori i sulmeve


Autoritetet franceze kanë ndaluar 23 vetë në bastisje të ndryshme në të gjithë vendin, pas sulmeve terroriste në Paris. Autoritetet thonë se kanë identifikuar ideatorin e sulmeve.

Abdelhamid Abaaoud, shtetas belg me origjinë marokene u identifikua nga autoritetet si personi që dyshohet për organizimin e sulmeve të së premtes që lanë 129 të vrarë. Autoritetet belge ishin në kërkim të Abaaoudit në fillim të vitit për një komplot për sulme ndaj policisë që u parandalua nga zbulimi belg.

Në Francë, Ministri i Brendshëm Bernard Cazeneuve tha sot se afro 170 bastisje u kryen gjatë natës dhe se përveç personave të ndaluar, mbi 100 vetë janë nën arrest shtëpie.

Bastisjet e realizuan në Tuluzë, Grenoble, Lëmont, Lion dhe periferinë e Parisit, Bobinji, çuan në zbulimin e armëve, përfshirë edhe një raketa-hedhëse, një kallashnikov dhe jelekë anti-plumb.

Bastisje në Belgjikë

Operacionet policore u zhvilluan në lagjen Molenbeek të Brukselit, ku autoritetet belge ishin në ndjekje të Salah Abdeslamit, i cili besohet se realizoi sulmet e Parisit së bashku me dy vëllezërit.

Policia franceze nxori një fotografi të Abdeslamit dje. Media njofton se zyrtarët francezë e ndalua Abdeslamin disa orë pas sulmeve të Parisit. Autoritetet e ndaluan të dyshuarin gjatë rrugës pranë kufirit me Belgjikën në një makinë me dy pasagjerë të tjerë, i morën të tre personat në pyetje dhe i lejuan të largohen.

Vëllai i tij, Salah Ibrahim, hodhi veten në erë në sallën e koncerteve Bataclan ku mbetën të vrarë mbi 80 vetë. Autoritetet belge kanë ndaluar një një tjetër vëlla të të dyshuarit.

Kryeministri francez Manuel Valls tha se Franca ka parandaluar disa sulme, por mund të ketë tentativa të tjera në ditët dhe javët e ardhshme. Kryeministri tha se nuk po përpiqet të perhapë panic, por se popullata duhet të jetë e përgatitur për kërcënimin terrorist që ekziston.

Ndërkaq, në Francë u mbajt një minut heshtje në mesditë në nderim të viktimeve nga sulmet terroriste të së premtes.

“Akt Lufte”

Dje avionë luftarakë francezë ndërmorën sulme masive kundër bazës kryesore të ISIS në Raka të Sirisë, duke shkatërruar një postë komande dhe një kamp stërvitor.

Avionët u nisën nga Jordania dhe Emiratet e Bashkuara Arabe dhe vepruan në bashkëpunim me forcat amerikane.

Një deklaratë e ushtrisë franceze tha se 10 avionë u përdorën për të lëshuar 20 bomba mbi objekte të ISIS. Kjo ishte goditja më e madhe e ndërmarrë deri tani nga Franca kundër ISIS në Siri.

Presidenti Hollande i cilësoi sulmet e së premtes “një akt lufte”.

Hetimet

Autoritetet besojnë se tetë vetë ishin të përfshirë në kryerjen e sulmeve, por ata mendojnë se 20 persona ishin përfshirë në organizimin e tyre. Prokurorët francezë thanë sot se një nga ekstremistët që kreu sulm vetëvrasës ishte Samy Amkimour, një shtetas francez, 28-vjeç, i hetuar për terrorizëm në një proces të vitit 2012. Ai ishte nën vëzhgim, por ishte zhdukur nga radari dhe ndaj tij ishte nxjerrë një urdhër-arrest ndërkombëtar.

Prokurorët thanë se sot ishin ndaluar tre persona nga familja e Amkimourit.

Prokurorët thane se një tjetër ekstremist që kishte kryer sulm vetëvrasës u gjet me një pasaportë siriane me emrin Ahmad al Mohammad, një 25-vjeçar i lindur në Idlib. Zyra e prokurorit tha se shenjat e gishtave përkonin me shenjat e një personi që kishte kaluar drejt Perëndimit nga Greqia në tetor.

Ndër tetë personat që mendohet se realizuan sulmet ishte edhe Bilal Hafdi, shtetas belg që ishte i përfshirë në sulmet vetëvrasëse në stadium.

Policia franceze mori dje në pyetje të afërm të Omar Ismail Mostefait, terroristi i pari i identifikuar në hetimin e sulmeve.

Babai, vëllai dhe kunata e Mostefait ishin ndër gjashtë persona të ndaluar nga autoritetet. Ai ishte një ndër shtatë autorët e sulmit, të gjithë të pajisur me jelekë me lëndë plasëse, gjashtë prej të cilëve gjetë vdekjen duke hedhur veten në erë, ndërsa i shtati u vra nga policia gjatë shkëmbimit të zjarrit.

Prokurori francez Francois Molins tha se Mostefai njihej nga policia si kriminel ordiner, por “kurrë nuk ishte identifikuar si i implikuar në organizata apo komplote terroriste”. 29-vjeçari Mostefai jetonte në Shartres pranë Parisit.

ISIS Merr Përgjegjësinë

Shteti Islamik mori përgjegjësinë për sulmet, duke e cilësuar aktin si hakmarrje ndaj vendeve që përpiqen të pengojnë përpjekjet e organizatës për të krijuar një Kalifat në Siri dhe Irak. ISIS e veçon Francën si një ndër vendet në krye të listës së vendeve që ka në shenjestër.

Një mesazh i ISIS i publikuar në internet të shtunën thoshte se sulmet e Parisit ishin përgjigje për goditjet ajrore të Shteteve të Bashkuara dhe aleatëve të tyre kundër luftëtarëve të Shtetit Islamik për më shumë se një vit.

ISIS veçonte Francën në deklaratën e tij. “Era e vdekjes nuk do t’u ndahet” thuhej në deklaratë në adresë të udhëheqësve francezë.

XS
SM
MD
LG