Lidhje

Frankfurt, Arid Uka pranon vrasjen e dy ushtarakëve amerikanë


Frankfurt, Arid Uka pranon vrasjen e dy ushtarakëve amerikanë
Frankfurt, Arid Uka pranon vrasjen e dy ushtarakëve amerikanë

21-vjeçari nga Kosova, Arid Uka, doli sot para gjyqit në Frankfurt dhe pranoi vrasjen e dy ushtarakëve të forcës ajrore amerikane si dhe plagosjen e dy të tjerëve.

Uka pranoi fajin dhe kërkoi ndjesë duke thënë se kishte qenë i ndikuar nga propaganda islamike. Ai shtoi se nuk mund ta kuptonte se si e kreu atë veprim.

Prokurorët gjermanë e kanë akuzuar Ukën për vrasje të qëllimshme të dy personave dhe përpjekje për vrasjen e tre të tjerëve më 2 mars në aeroportin e Frankfurtit. Uka ishte punësuar në aeroport në kohën e ngjarjes. Ai tha se erdhi në aeroport me një armë dhe dy thika me qëllim që të vriste ushtarë amerikanë për të mos lejuar që ata të shkonin në Afganistan.

Edhe prokurorët federalë amerikanë kanë ngritur akuza për vrasje kundër Arid Ukës. Sipas tyre ai thirri "Allahu është i madh" në gjuhën arabe dhe vazhdoi të qëllojë deri sa iu bllokua arma. Zyrtarët amerikanë besojnë se ai ka vepruar i vetëm dhe nuk ishte pjesë e ndonjë grupi terrorist.

Uka, i cili u arrestua në vendngjarje, përballet me burgim të përjetshëm nën akuzat për vrasje të qëllimshme dhe tentim për vrasje. Vendimi i gjyqit nuk pritet para fillimit të vitit 2012.

XS
SM
MD
LG