Lidhje

Franca, gjashtë avionë për sulme ndaj IS


Franca thotë se po dërgon gjashtë avionë luftarakë në Lindjen e Mesme për të shtuar goditjet ajrore kundër bazave të Shtetit Islamik në Irak.

Ministri francez i Mbrojtjes Jean-Yves Le Drian tha sot para parlamentit se gjashtë avionët e tipit Mirage do të dërgohen në një bazë në Jordani për të mbështetur avionët luftarakë që ndodhen tashmë në rajon.

Shtetet e Bashkuara, Britania dhe Franca po ndërmarrin sulme ajrore kundër Shtetit Islamik në Irak, si dhe kundër objekteve të ISIS në Siri.

Po sot, zyrtarët francezë thanë se kanë identifikuar një tjetër shtetas francez në radhët e ekstremistëve të Shtetit Islamik që shfaqen në videon e ekzekutimit të një amerikani dhe të paktën 18 ushtarëve sirianë.

Presidenti Francois Hollande tha sot gjatë një vizite në Australi se dy shtetas francezë shihen në videon e nxjerrë nga Shteti Islamik, por nuk dha hollësi të mëtejshme.

Hetuesit besojnë se personi i dytë është një 22-vjeçar nga një periferi e Parisit, i cili ka shkuar në Siri një vit më parë.

Të hënën, zyrtarët identifikuan francezin e parë, Maxime Hauchard një 22-vjeçar që shkoi vjet në Siri.

Zoti Hollande foli për rrezikun e indoktrinimit të të rinjve nga ekstremistët.

XS
SM
MD
LG