Lidhje

Mblidhet këshilli mbikëqyrës për vjedhjen në Bankën e Shqipërisë


Këshilli Mbikëqyrës nuk kërkoi shkarkimin e guvernatorit Ardian Fullani.

Këshilli mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë analizoi mbrëmë vjedhjen e mbi 7 milionë dollarëve në departamentin e emisionit në periferi të kryeqytetit, për të cilën janë arrestuar deri tani 10 persona.

Në fund të mbledhjes këshilli deklaroi se vjedhja u krye nga persona të veçantë që shkelën rregulloret, procedurat për administrimin e çelësave si dhe protokollet e regjimit hyrje-dalje në institucion. Këshilli pohoi që “kjo ngjarje kriminale nga ish-punonjës të saj nuk ndikon në veprimtarinë e përditshme të Bankës”.

Banka e Shqipërisë dhe këshilli mbikëqyrës, që veprojnë prej kohësh pa zëvendës-guvernator dhe pa dy këshilltarë, deklaruan se do të vazhdojnë bashkëpunimin me prokurorinë, derisa një hetim i plotë të dërgojë personat përgjegjës para drejtësisë sa më parë. Këshilli mbikëqyrës deklaroi se sistemi rregullator dhe procedurat e brendshme të bankës për administrimin dhe ruajtjen e Thesarit janë hartuar në përputhje me ligjin.

Dy nga të arrestuarit kanë deklaruar në prokurori se në zyrën e tyre nuk kishte rregullore dhe askush nuk dinte detyrat e veta për të shmangur abuzimet dhe vjedhjet si ato që ndodhën. Këshilli miratoi masa shtesë nga drejtuesit e bankës për menaxhimin e situatës dhe për forcimin e sigurisë në përpunimin dhe ruajtjen e parasë kesh.

Në deklaratën e vet, këshilli theksoi se ishte Banka që bëri kallëzim penal, për dy ish-punonjës të Bankës së Shqipërisë, bashkëpunoi me prokurorinë për zbulimin e çdo shkelje ligjore që lehtësoi vjedhjen e parave, zëvendësoi një seri nëpunësish dhe njoftoi institucionet shqiptare dhe partnerët ndërkombëtarë mbi qëndrueshmërinë makro-ekonomik dhe sigurinë e depozituesve.

Qeveria e quajti vjedhjen e Bankës një ngjarje shumë të rëndë për të cilën opinioni qytetar është shqetësuar me të drejtë. Qeveria deklaroi se ky është një akt i rëndë kriminal dhe një sfidë e madhe për drejtësinë, që të ndriçojë ngjarjen dhe të ndëshkojë çdo person të përfshirë në krimin tronditës. Po ashtu qeveria tha se bashkë me parlamentin dhe me institucionet ndërkombëtare, duhet të gjenden masa ligjore që garantojnë kontrollin dhe transparencën, pa cënuar pavarësinë e Bankës së Shqipërisë.

Këshilli mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë hodhi poshtë si të pavërteta njoftimet se gjatë mbledhjes u propozua shkarkimi i Guvernatorit Fullani, i cili u kërkua nga qytetarët protestues në dyert e Bankës. Ndërkohë hetimet vazhdojnë për ngjarjen dhe deri tani janë arrestuar 10 persona për vjedhjen e 7 milionë dollarëve në 4 vjet nga Ardian Bitraj, moskallëzim krimi dhe shpërdorim detyre.

Shoqata e Bankave e quajti ngjarje të rëndë vjedhjen e Bankës së Shqipërisë, por siguroi klientët se veprimtaria e bankave tregtare vijon normalisht, së bashku me investimet e depozituesve. Veprimtarë të shoqërisë civile bënë të ditur se do të vazhdojnë edhe sot protestat për dorëheqjen e guvernatorit Ardian Fullani ose shkarkimin e tij nga autoritetet shtetërore.

XS
SM
MD
LG