Lidhje

Gjermania forcon ligjet për deportimin


Gjermania ka hartuar plane për të forcuar ligjet për dëbimin e të huajve, pas valës së sulmeve ndaj qindra grave në Këln dhe qytete të tjera gjermane në prag të Vitit të Ri. Policia thotë se sulmet duket të jenë kryer nga grupe të rinjsh emigrantë. 19 të dyshuar janë identifikuar deri tani, që të gjithë emigrantë.

Përkrahësit e së djathtës ekstreme dhe huliganë të futbollit thyen xhamat e dyqaneve dhe dëmtuan makina në qytetin lindor të Lajpcigut para dy ditësh.

Shkatërrimi filloi pothuajse në të njëjtën kohë kur 2 mijë simpatizantë të lëvizjes anti-islamike PEGIDA demonstronin aty pranë, duke mbajtur pankarta me slogane si “Liri për Gjermaninë”.

“Ajo që më indinjoi më shumë në javët dhe muajt e fundit, ishte e gjithë situata lidhur me të huajt, mënyra se si u menaxhua. Jo vetëm unë, por shumë njerëz mendojnë se do të përfundojë keq”, - shprehej një protestues.

Ministri gjerman i drejtësisë, njoftoi për ligje më të ashpra për deportimin për këdo që shpallet fajtor për disa vepra penale, përfshirë sulmet seksuale.

“E gjitha kjo bëhet për mbrojtjen e viktimave. Është detyrimi ynë është ndaj viktimave të gjithë këtyre krimeve serioze. Megjithatë, nuk është vetëm e arsyeshme por edhe e nevojshme sipas këndvështrimit tim, për të mbrojtur shumicën e refugjatëve të pafajshëm në Gjermani. Ata nuk e meritojnë të etiketohen si kriminelë të huaj”, - tha ministri Maas.

Policia ka regjistruar mbi 500 kallzime penale nga nata e vitit të ri, pothuajse gjysma e të cilave kishte të bënte me sulme seksuale. Analistët thonë se grupet po shfrytëzojnë sulmet për përfitime politike.

“Po përpiqen të përhapin mesazhin ‘që ne ju paralajmëruan se është e papranueshme që t’i kemi mes nesh këta njerëz. Ju thamë që ishte e rrezikshme. Ju thamë që vijnë nga një traditë, kulturë tjetër dhe nuk mund t’i kuptojnë vlerat tona’”, - thotë Andrea Mammone i Universitetit Mbretëror Holloway të Londrës.

Kancelarja gjermane, Angela Merkel e mbrojti politikën e pranimit të mbi një milionë refugjatëve:

“Ne e dimë se që kur ndodhën ngjarjet e tmerrshme në Këln, që për të realizuar integrimin, duhet të kemi një hapje të shoqërisë, por edhe refugjatët duhet të kenë vullnetin që të ndjekin rregullat dhe vlerat tona”.

Në një valë sulmesh hakmarrëse ndaj të huajve në Këln, u plagosën gjashtë pakistanezë, dy sirianë dhe tre burra nga Guinea.

Profesor Mammone thotë se politikanët duhet të formulojnë një reagim të matur ndaj asaj që ndodhi në prag të Vitit të Ri:

“Është një balancë mes të qenit i ndershëm dhe përpjekjes për të qenë praktik, si edhe mes të pranuarit nga ana morale, por edhe të kesh një ligj strikt kur dikush kryen një krim të tillë”.

Policia e Këlnit ka ngritur një ekip prej 100 vetësh për të hetuar sulmet e natës së vitit të ri, i cili po shqyrton edhe këmbimet në rrjetet sociale para asaj nate.

XS
SM
MD
LG