Lidhje

Trazira në Frankfurt – mbi 350 të arrestuar


Trazirat e dhunshme shpërthyen para selisë së re të Bankës Qendrore Evropiane të cilën protestuesit e shohin si zbatuese të politikave të kursimit

Në Frankfurt u përurua sot selia e re e Bankës Qendrore Evropiane, në atmosferën e një proteste, ku pjesmarrësit kundërshtuan masat shtrënguese financiare, duke përdorur edhe dhunën. Të paktën katër makinave të policisë iu vu zjarri dhe dy policë mbetën të plagosur gjatë përleshjes me protestuesit.

Protestuesit thanë se kishin vënë në shënjestër Bankën Qendrore për shkak të rolit të saj në përpjekjet për të kufizuar shpenzimet dhe për të reduktuar borxhin në vendet e goditura financiarisht, si Greqia.

Ceremonia u zhvillua siç ishte planifikuar. Presidenti i Bankës Qendrore Evropiane, Mario Draghi, falënderoi policinë për ruajtjen e sigurisë në mjediset jashtë bankës:

"Jam i kënaqur t'ju shpreh mirëseardhjen në përurimin e selisë së re të Bankës Qendrore Evropiane. Veçanërisht ju falenderoj për pjesëmarrjen megjithë situatën shumë të vështirë jashtë. Dhe më lejoni gjithashtu të shpreh mirënjohje të veçantë dhe të përzemërt për të gjitha forcat e sigurisë, për përpjekjet e tyre në ruajtjen e sigurisë jashtë."

Policia tha se 350 persona u arrestuan. Disa mijëra policë u vunë në ndjekje të disa aktivistëve, që sipas tyre kishin përdorur dhunën, ndërkohë që pjesa më e madhe e protestuesve u sollën në mënyrë paqësore.

Policia tha se një protestues hodhi gurë ndaj oficerëve afër operës së vjetër të Frankfurtit, ndërsa disa automjete private u dogjën gjatë natës në qendër të qytetit.

Disa protestues bllokuan urat mbi lumin Main apo rrugët kryesore në përpjekje për të penguar autoritetet të merrnin pjesë në ceremoninë e përurimit.

Banka Qendrore Evropiane, së bashku me Komisionin Evropian dhe Fondin Monetar Ndërkombëtar, është pjesë e të ashtuquajturës "troikë" që monitoron respektimin e kushteve të paketës së shpëtimit financiar për Greqinë dhe vende të tjera me probleme borxhi në Evropë.

Këto kushte përfshijnë shkurtimin e shpenzimeve dhe të deficiteve, hapa që synojnë reduktimin e borxhit, por që edhe janë fajësuar për papunësinë e lartë dhe ngadalësimin e rritjes ekonomike.

XS
SM
MD
LG