Lidhje

Një qytet në Gjermani mirëpret refugjatët


Një qytet i vogël braktisur në Gjermani është bërë strehë e përkohshme për azilkërkuesit që largohen nga lufta për një jetë më të mirë. Qyteti fantazmë Kerpen-Manheim, i braktisur me synimin për të ndërtuar një minierë, strehon tani përkohësisht 80 refugjatë nga Somalia, Kosova, Shqipëria dhe Bosnja.

Sulmet me zjarrvënie dhe protestat e zhurmshme kundër 450,000 refugjatëve që kanë arritur në Gjermani këtë vit kanë dominuar titujt e medias. Por në Gjermani po ndodh diçka tjetër së cilës nuk po i kushtohet shumë vëmendje:

Janë miliona gjermanë të cilët po hapin shtëpitë e tyre për të ndihmuar refugjatët e lodhur që vijnë nga Lindja e Mesme, Azia dhe Afrika për të gjetur strehë dhe ndoshta një jetë të re në një vend, i cili bën çdo gjë për të shprehur pendesë për të kaluarën naziste.

Autoritetet lokale kanë dhënë me qira disa prej ndërtesave tashmë të pabanueshme për të strehuar refugjatët derisa të shqyrtohen rastet e tyre, proces që mund të kërkojë muaj apo edhe vite.

Azilkërkuesi 18-vjeçar Leonardo Spasiç, tha se ndihet i sigurt në shtëpinë e tij të re, ndërsa pret t’i shqyrtohet kërkesa.

"Ndihem mirë këtu. Nuk më bëhet vonë nëse kam fqinjë apo jo. Kam një vend për të fjetur, dhe nuk do të fle në rrugë. Jam shumë mirënjohës për atë që kam gjetur këtu, jam i gëzuar që mund të jetoj në paqe këtu me familjen time."

Banorja vendëse, 75-vjeçarja Angelika Gurdon, u mëson gjermanishten dy vajzave armene.

Ajo thotë se komuniteti i qytetit është duke bërë mjaft përpjekje për integrimin e të ardhurve.

"Kemi shumë refugjatë në Manheim që kanë nevojë për ndihmë, por nuk vijnë këtu. Nuk e di pse nuk vijnë. Ka njerëz që nuk dinë të lexojnë dhe të shkruajnë, ka disa nga Ballkani që ndoshta mendojnë se ata do të deportohen së shpejti dhe prandaj nuk ka vlerë të mësuarit e gjuhës gjermane. Ne jemi duke bërë mjaft përpjekje," thotë zonja Gurdon.

Gjermania ka tashmë traditë në mirëpritjen e refugjatëve, pjesërisht si reagim ndaj së kaluarës së saj nën Rajhun e Tretë, kur u deportuan 500.000 hebrenjve dhe të tjerë të perndjekur nga nazistët. Ata gjetën strehim në më shumë se 80 vende të botës. Pas Luftës së Dytë Botërore, Gjermania pranoi rreth 13 milionë njerëz të zhvendosur dhe të tjerë të arratisur në perëndim nga Evropa Lindore.

Në qytetin Kerpen-Manheim, udhëheqësi i komunitetit, Wolfgang Esser, ka mbledhur mobilje, veshje dhe sende shtëpiake të dhuruara nga qytetarë të tjerë për t’ua shpërndarë refugjatëve.

"Ka njerëz të tjerë që ndihmojnë vetë me mobilje. Kam marrë telefonata nga njerëz që duan të ofrojnë sende të ndryshme. Problemi i vetëm që kemi është transporti. Sepse gatishmëria për të ndihmuar ekziston, edhe jashtë Manheim," thotë zoti Esser.

Pamja e azilkërkuesve të qeshur, hipur në biçikleta, ose duke pritur autobusin në rrugët bosh të Kerpen-Manheimit, shënon një kontrast të dukshëm me skenat e djegieve në qendrat e refugjatëve në qytete të tilla si Troeglitz dhe Remchingen, ku këtë vit janë sulmuar rreth 150 strehimore të sapongritura.

XS
SM
MD
LG