Lidhje

70-vjetori i çlirimit të Auschwitzit


Auschwitz
Auschwitz

Gjermania shënoi sot 70 vjetorin e çlirimit të kampit të përqëndrimit të Auschwitzit, me një ceremoni përkujtimore në parlament.

Së bashku me 1.1 milionë hebrenj, në Auschwitz dhe në kampin tjetër aty pranë Birkenau gjetën vdekjen më shumë se 100 mijë të burgosur lufte, polakë, dhe pakica të tjera. Ata vdiqën në dhomat e gazit dhe krematoriumet, ose nga uria, sëmundjet dhe puna e detyruar.

Auschwitzi është një simbol i tmerreve të Holokaustit, ku gjashtë milionë hebrenj u vranë sistematikisht nga Gjermania naziste dhe aleatët e saj.

Presidenti gjerman Joachim Gauck tha në parlament se nuk ka identitet gjerman pa Auschwitzin:

"Auschwitzi kujtohet sa herë që ne i rezistojmë dhe luftojmë çdo lloj përjashtimi social dhe dhune, kur u japim strehë njerëzve që kërcënohen nga përndjekja, lufta dhe terrori. Nuk ka identitet gjerman pa Auschwitzin. Kujtimi i Holokaustit është një shqetësim i të gjithë gjermanëve, i të gjithë atyre që jetojnë në Gjermani."

Në audiencë ishte edhe i mbijetuari i Auschwitzit Marian Turski, i cili përjetoi abuzimet në kampin e vdekjes.

Kampi, që ndodhej në zonat polake të aneksuara nga Gjermania, u çlirua nga ushtria sovjetike më 27 janar 1945 në muajt e fundit të Luftës së Dytë Botërore.

Sot në Auschwitz u zhvillua një ceremoni e veçantë përkujtimore. Të mbijetuarit u ndalën në 'murin e vdekjes' ku mijëra njerëz u ekzekutuan me armë zjarri.

E mbijetuara Elzbieta Soczunska tha se imazhet e kampit nuk do të shuhen kurrë nga kujtesa e saj, megjithë kalimin e kohës:

"Me mendjen tonë ne jemi ende këtu, edhe në qoftë se ne nuk jemi këtu fizikisht. Duam të theksojmë se bijtë e Auschwitzit janë të pranishëm këtu sot."

Të hënën në mbrëmje në Krakov, rreth 75 kilometra larg Auschwitzit, u zhvillua një pritje e veçantë e organizuar nga Kongresi Botëror i Hebrejve.

Në pritje morën pjesë të mbijetuar të Holokaustit, të cilët nënshkruan një libër të veçantë përkujtimor.

XS
SM
MD
LG