Lidhje

Bumi në ndërtime nga refugjatët në Gjermani


Ndërsa fluksi i refugjatëve në Gjermani ka patur ndikimin e vet negativ mbi ekonominë e vendit, për industrinë e ndërtimit ka qenë ndryshe. Kjo industri ka përfituar, duke siguruar vende pune për një pjesë të emigrantëve dhe duke nxjerrë fitime të mëdha për vete.

Pranë kufirit jugor të Gjermanisë, një kompani e vogël ndërtimi që menaxhohet nga një familje, e ka të pamundur të përballojë porositë për shtëpi parafabrikate.

Këto lloj banesash do të shërbejnë për strehimin e një pjese prej afro 1 milion azilkërkuesve që kanë vërshuar në Gjermani gjatë këtij viti.

Fabrika e familjes në Neukirch, një qytet i vogël afër Austrisë dhe Zvicrës, nuk mund t’i përgjigjet dot kërkesës, prandaj është zgjeruar pranë brigjeve të Liqenit Constance, thotë shefi i kompanisë, Joerg Bauer.

"Ne punësojmë azilkërkues që prej viteve '90. Në atë kohë, ata vinin nga Kosova. Ata janë sot ndër punëtorëve tanë më të mirë. Tani kemi vendosur të punësojmë përsëri azilkërkues. Ne kemi dy nga Nigeria dhe një nga Iraku që punojnë këtu."

Në Gjermani është shtuar kërkesa për apartamente të thjeshta për refugjatët, shumica e të cilëve flenë nëpër salla sporti, lokale dhe tenda. Kjo ka nxitur një ringjallje të industrisë gjermane të ndërtimit.

"Kam ardhur këtu me fëmijët dhe gruan. Unë kam tre fëmijë dhe të gjithë kërkojmë azil. Nuk mund të qëndroja në vendin tim, sepse më duhej të punoja,” thotë Lucky, azilkërkues nga Nigeria.

Në Gjermani, sektori i ndërtimit ka marrë nxitje edhe nga rritja e popullsisë në qytetet e mëdha si dhe nga interesimi në rritje i njerzëve për pasuritë e patundshme.

Kostot e ulta të huamarrjes dhe rritja e pagave reale kanë inkurajuar shumë gjermanë për të blerë banesa dhe shtëpi, në vend të prirjes së mëparshme për të banuar në apartamente me qera.

Në sektorin publik, investimet në strehim për azilkërkuesit po mbështesin kërkesën.

"Ne ndërtojmë apartamente të vegjël, ku mund të strehosh më shumë njerëz. Pra apartamente të vegjël me dushe dhe tualete më vete, ku marrim parasysh edhe kulturat e besimet e ndryshme të njerëzve. Në vend që të ndërtojmë dy apartamente të mëdhenj ndërtojmë katër më të vegjël,” thotë karpentieri Stefan Herbst.

Sektori publik i ka dyfishuar fondet për banesa sociale në më shumë se 4 miliardë euro deri në vitin 2019 për të përballuar kërkesat për azilkërkuesit, shumë prej tyre refugjatë nga Lindja e Mesme.

Kompania Max Boegl, që gjithashtu ndërton banesa për refugjatët, po përjeton të njëjtën prirje.

"Ne kemi vënë re një rritje të madhe të kërkesës që nga tetori dhe presim që kjo prirje të vazhdojë vitin e ardhshëm," tha zëdhënësi i kompanisë.

Firmat e vogla dhe të mesme që mbizotërojnë sektorin e ndërtimit të banesave në Gjermani po përpiqen t’i plotësojnë këto kërkesa në rritje.

XS
SM
MD
LG