Lidhje

Jeta e refugjatëve në Gjermani


Në prill të vitit të kaluar, Zëri i Amerikës ndoqi ecurinë e gjashtë refugjatëve, katër vëllezër dhe dy shokët e tyre, ndërsa udhëtonin nga Libia në Itali me barkë dhe më pas mbërritën në Gjermani. Korrespondenti Henry Ridgwell u takua përsëri me këta refugjatë në Berlin, ndërsa përpiqen të ndërtojnë një jetë të re, mes vështirësive të krizës së refugjatëve në Evropë.

Ka kaluar thuajse një vit që kur vëllezërit Abualnar dhe shokët e tyre u nisën nga Libia në një barkë të tejmbushur peshkimi. Ata mbijetuan falë rojës bregdetare italiane.

Zëri i Amerikës bisedoi për herë të parë me të rinjtë refugjatë në stacionin e Milanos në Itali. Ata kishin ftohtë, ishin të frikësuar, me pasiguri për atë që i priste në udhëtimin drejt Berlinit.

Nëntë muaj më pas, ata kanë marrë leje strehimi në Gjermani dhe shumica ende jetojnë në kampe refugjatësh. Bahaa, një nga shokët, jeton në një kamp në rrethinat industriale të Berlinit, ku dikur strehoheshin gjermano-lindorët që arratiseshin nga regjimi komunist.

“Ditët e para kur shkova në Berlin, kisha një strategji për të ndërtuar jetën këtu. Po mendoja të punoja si mësues, ose të vazhdoja studimet në në universitet, apo të bëja diçka tjetër. Tani jam pak si i hutuar. Nuk di ç’të bëj”.

Bahaa do që të largohet nga kampi dhe të gjejë një banesë të tijën. Por ai thotë se pronarët e shtëpive refuzojnë që t’u japin refugjatëve banesa me qera.

“Nuk kam asgjë tjetër se çfarë të bëj. Shkoj në shkollë, vij në kamp, ose kërkoj për ndonjë apartament, ose ndonjë punë të re. Por për fat të keq deri tani nuk kam gjetur asgjë”.

Bahaa the shokët e tij janë jashtë rrezikut dhe kanë një çati mbi kokë. Por ëndrra e tyre për të filluar një jetë të re, ka mbetur në vend, ndërsa Gjermania përpiqet të përballet me valën e madhe të emigrantëve.

Ata kanë lënë pas një luftë civile brutale. Bahaa e ka të vështirë të shohë atë që po ndodh në vendin e tij.

“Babai dhe vëllai im vdiqën në luftë. Po ashtu edhe xhaxhai dhe dy të afërm të tjerë. Është shumë e vështirë të komunikoj me familjen për shkak të gjendjes atje dhe shpesh kam frikë se marr një lajm tjetër të keq, ashtu si mësova për babanë dhe vëllanë”.

Miqësia e Bahaas me Ghiyathin u konsolidua në shkretëtirat e Libisë dhe në detet e hapura të Mesdheut. Ata shkojnë të takojnë më të riun nga grupi i tyre, villain e vogël të Ghiyathit, Hussein.

Me mbështetjen e babait të tij, një banor i Berlinit për një kohë të gjatë, dhe vëllezërve të tij, Ghiyath ka qenë më me fat.

ghiyath abualnar, refugjat sirian

“Kam një punë të re me ti, atë, në një restorant arab. Dhe po mësoj gjermanishten. Shpresoj ta mësoj mire. Dhe kam një dhomë të re në një hostel”.

Ghiyath është takuar madje edhe me Kancelaren Angela Merkel tek një aktivitet mikpritës në Berlin.

“Ajo në sytë e mi është si Nënë Tereza. Pse? Sepse me hapi dyert për të ardhur këtu”.

Për Ghiyathin, diçka e madhe mungon: nëna e tij – që ka mbetur në Turqi, në pamundësi që të marrë një vizë gjermane dhe me shëndet të dobët për të marrë rrugën e zakonshme të refugjatëve.

Të rinjtë janë tani të sigurt, por kërkimi për një të ardhme të re, nuk ka përfunduar.

XS
SM
MD
LG