Lidhje

Çmimet e naftës dhe ekonomia globale


Rënia e papritur e rezervave të naftës solli rritje të çmimeve të mërkurën, por në përgjithësi çmimet e naftës mbeten të ulta, thuajse më të ulëtat në 10 vitet e fundit për shumë arsye, ndër të cilat rritja e vlerës së dollarit në tregun e valutës si dhe rënia e kërkesës globale. Këto çmime të ulëta kanë ndihmuar konsumatorët, por kanë sjellë probleme për vendet prodhuese të naftës.

Çmimet e naftës janë ndër më të ulëtat në 10 vjet. Në këtë sezon festash, konsumatorët shprehin kënaqësi për këtë kosto të ulët udhëtimi:

“Më kujtohet një vit më parë m’u deshën 50 dollarë për ta mbushur makinën, tani e mbush me 36-38 dollarë,” thotë një konsumator.

Kjo situatë nënkupton kursime mesatare vjetore prej 555 për çdo amerikan që zotëron makinë, thotë analisti i transportit Robert Sinclair:

“Mendojmë se kjo situatë do të vazhdojë, sepse ka rezerva të shumta nafte. Tregu i naftës ka dhënë sinjale se në të ardhmen mund të ketë rënie çmimesh”.

Për vendet prodhuese të naftës, rënia e çmimit ka sjellë vetëm probleme, shpjegon ekonomisti C. Fred Bergsten për programin HashtagVOA të Zërit të Amerikës:

“Rusët humbasin, po ashtu sauditët, venezuelianët, por edhe prodhuesit amerikanë të naftës”.

Për pjesën më të madhe të mallrave për konsum, kostoja llogaritet në dollarë, por analisti Peter Cardillo thotë se rënia e çmimit të mallrave nuk lidhet me dollarin por balancën kërkesë-ofertë:

“Nëse bie kërkesa në tregun global dhe nga ana tjetër ke mbiprodhim nga vendet eksportuese, pa diskutim që do të ketë rënie të çmimit të naftës dhe këtë po vërejmë tani”.

Kjo rënie ka pasoja të mëdha gjeopolitike. Rusia e dëshmon këtë, thotë analisti Bergsten:

“5-10 vjet më parë kur çmimet e naftës ishin shumë të larta, Putini kishte popullaritet të madh. Tani që kanë rënë çmimet e naftës, atij i është dashur t’i futet aventurave ndërkombëtare, Ukrainës dhe tani Sirisë për të larguar vëmendjen e popullatës nga situata e vështirë ekonomike që është pjesërisht rezultat i rënies së çmimeve të naftës”.

Nuk ka gjasa që këto çmime të rriten në të ardhmen e afërt. Parashikimet e Bankës Botërore dhe Fondit Monetar Ndërkombëtar flasin për rënie të mëtejshme.

XS
SM
MD
LG