Lidhje

Evropianët analizojnë propozimet greke


Komisioni Evropian tha sot se Greqia duhet të bëjë të qartë se çfarë veprimesh do të ndërmarrë para se asaj të mund t’i jepen fonde nga kreditorët evropianë, për të shpëtuar financat e saj nga falimentimi. Zyrtarët në Bruksel janë duke analizuar intensivisht propozimet e paraqitura dje nga qeveria greke.

Greqia shpreson të arrijë një marrëveshje për reforma, që do të zhbllokonte 7,2 miliardë euro të mbetura në paketën e shpëtimit financiar para fundit të këtij muaji. Por parlamentet e vendeve të BE-së mund ta miratojnë dhënien e fondeve vetëm pasi Greqia të miratojë ligje për të vënë në zbatim premtimet për reforma.

"Përveç llogaritjeve të shifrave dhe qasjeve që po ndodh tani në mes të tre institucioneve, ne duam të shohim gjithashtu një listë të veprimeve konkrete që ata duhet të ndërmarrin dhe që përmenden në propozimet. Kjo punë është duke u bërë,” - tha zëdhënësi i Komisionit Evropian Margaritis Schinas në një konferencë për shtyp në Bruksel.

Udhëheqësit e eurozonës i mirëpritën propozimet e reja buxhetore të bëra dje nga Athina si bazë e negociatave të mëtejshme për të zhbllokuar miliarda euro ndihmë dhe për të shmangur mospagimin e kredive, gjë që mund të shkaktonte daljen e Greqisë nga Eurozona.

Zyrtarët e tre institucioneve që përfaqësojnë kreditorët e Athinës - Komisioni Evropian, Banka Qendrore Evropiane dhe Fondi Monetar Ndërkombëtar, janë duke analizuar intensivisht propozimet greke për të parë nëse shifrat mjaftojnë për t’i bërë financat publike greke të qëndrueshme.

"Presidenti i Komisionit Evropian Juncker është i bindur se një marrëveshje mund të arrihet këtë javë," - tha zëdhënësi.

Por strategu i firmës financiare BGC, Mike Ingram nuk është i bindur se shifrat e propozuara nga Greqia janë të mjaftueshme:

"Kreditorët kërkojnë që Greqia të gjenerojë një suficit në masën 3 deri 3.5 përqind të GDP-së për tre-katër vitet e ardhshme. Nuk jam i sigurt nëse kjo mund të arrihet. Edhe para se Syriza të vinte në fuqi, qeveria e mëparshme ishte mjaft larg objektivave financiare të vitit të kaluar."

Propozimet përfshijnë rritje taksash dhe masa për të kufizuar daljet në pension para kohe.

Por nuk do të ketë shkurtime në pensionet dhe pagat, që do të thotë se Kryeministri Alexis Tsipras nuk ka shkelur asnjë nga premtimet që ka bërë para grekëve për të mos imponuar masa të reja shtrënguese:

"Për të përdorur një frazë që përdorin zakonisht udhëheqësit e BE-së, topi tani është fushën e udhëheqësve të Bashkimit Evropian,” tha Kryeministri grek.

Greqia duhet t’i paguajë Fondit Monetar Ndërkombëtar 1.6 miliardë dollarë deri më 30 qershor.

XS
SM
MD
LG