Lidhje

Sondazhet: Syriza fiton zgjedhjet në Greqi


Votimet janë mbyllur në Greqi dhe partia e majtë Syriza që është kundër masave shtrënguese të huadhënësve në Greqi, ka arritur një fitore të ndjeshme në zgjedhjet e përgjithshme, sipas parashikimeve të sondazheve pas votimit nga televizioni shtetëror. Është hera e parë në histori që një parti të majtë radikale arrin një fitore të tillë në Greqi.

Por nuk është ende e qartë nëse fitorja e partisë me rrënjë komuniste ndaj konservatorëve të kryeministrit Antonis Samaras në pushtet është aq e thellë saqë ajo të mund të qeverisë e vetme. Asaj i duhet të fitojë 151 nga 300 vendet e parlamentit që të mund ta realizojë një gjë të tillë.

Deri tani, sipas sondazheve, Syriza ka marrë 35.5 deri në 39.5 për qind të votave, ndërsa partia e së djathtës së qendrës, Demokracia e Re mori 23 deri në 27 për qind.

Nëse rezultati konfirmohet nga numërimi zyrtar, udhëheqësi 40 vjeçar i Syrizës, Alexis Tsipras mund të bëhet kryeministri më i ri në Greqi që prej 150 vjetësh.

Ai ka premtuar të rinegociojë dy paketat financiare me vlerë rreth 300 miliardë dollarë dhe do të bindë kreditorët të shlyejnë një pjesë të borxhit të jashtëm të vendit.

Retorika kundër kushteve të paketave të shpëtimit ka ringjallur dyshimet për aftësinë e Greqisë për të dalë nga kriza financiare që ka eliminuar një të katërtën e ekonomisë së saj, ka rritur papunësinë në nivele jashtëzakonisht të larta dhe dhe ka dobësuar Euron. Zoti Samaras kishte paralajmëruar se Greqia mund të detyrohet të dalë nga eurozona nëse Syriza vjen në pushtet.

XS
SM
MD
LG