Lidhje

Eurozona analizon alternativa për Greqinë


Ministrat e financave të Eurozonës vazhdojnë përpjekjet për gjetjen e një mënyre për të ndihmuar Greqinë t’i shlyejë Bankës Qendrore Evropiane këstin e ardhshëm të borxhit. Për momentin po diskutohen gjashtë opsione, por secili prej tyre ka probleme. Greqia ka nevojë për 3.5 miliardë euro për të siguruar kredinë nga Banka Qendrore Evropiane. Para se të lëvrohet kjo kredi, Athina duhet të shlyejë Fondit Monetar Ndërkombëtar detyrimet prej mbi 2 miliardë eurosh.

Greqisë i nevojiten gjithësej 7 miliardë Euro në korrik dhe 5 miliardë të tjera deri në mes të gushtit, sipas llogaritjeve të ekspertëve.

Jeroen Dijsselbloem, Kreu i Ministrave të Financave të Eurozonës

“Ofertat janë plot prita dhe humnera. Po analizojmë të gjithë instrumentët dhe fondet e disponueshme dhe secili prej tyre paraqet probleme, ose pengesa ligjore. Puna vazhdon”.

Ekspertët kanë dalë me gjashtë opsione për të menaxhuar lëvrimet dhe shlyerjet mes kredive të ndryshme në mënyrë që Greqia të vazhdojë të funksionojë deri kur të negociojë një kredi prej 86 miliardë eurosh për të përballuar krizën, tha Ministri finlandez i Financave Alexander Stubb.

Pas diskutimeve, ministrat do të dalin me rekomandime.

Ndër opsionet që po diskutohen janë kredi bilaterale për Greqinë, disbursimi i fitimeve që realizoi Banka Qendrore Evropiane nga bonot greke të thesarit që i bleu gjatë krizës dhe lëvrimi i fondeve të një kredie të vogël të krijuar në vitin 2010 për të ndihmuar vendet në krizë. Por për t’u lëvruar kjo kredi nevojitet konsensusi i të 28 qeverive të Bashkimit Evropian, pasi fondi prej 13.2 miliardë eurosh ka dalë nga buxheti i BE-së.

Britania, e cila e pat kundërshtuar në të kaluarën përdorimin e kësaj shume në ndihmë të Greqisë, përsëriti sot kundërshtimin e saj për lëvrimin e fondit. Zyrtarët e BE-së kanë thënë hapur se nuk do t’i bëjnë presion Britanisë të kontribuojë për të nxjerrë Greqinë nga kriza. Në këtë klimë politike dhe ekonomike, krerët e BE-së po tregohen të kujdesshëm të mos acarojnë më tej skepticizmin ndaj Bashkimit Evropian në ekonominë numër dy të BE-së. Kryeministri britanik David Cameron ka njoftuar që në vitin 2017 në Britani do të hidhet në votë me referendum e ardhmja e Britanisë në Bashkimin Evropian.

XS
SM
MD
LG