Lidhje

Imigrantët mbërrijnë në portin e Pireut


Një traget me 1400 emigrantë dhe refugjatë të larguar nga zonat e konfliktit në Lindjen e Mesme u ankorua sot në portin kryesor të Pireut në Greqi. Sipas agjencisë së OKB-së për refugjatët dhe Organizatës Ndërkombëtare për Migrim, numri i refugjatëve dhe emigrantëve që kanë hyrë në Evropë gjatë vitit 2015 i kaloi një milion persona. ​

Gjysma e imigrantëve janë sirianë të larguar nga lufta, 20 për qind janë afganë dhe 7 për qind irakianë, sipas dy organizatave.

Nga 1,005,504 emigrantë që kanë hyrë në Evropë përmes Greqisë, Bullgarisë, Italisë, Spanjës, Maltës dhe Qipros, shumica - 816,752 – kanë shkuar përmes detit në Greqi.

Një refugjat sirian që mbërriti në Pire sot tha se familja e tij u largua nga Aleppo pasi vëllai i tij u vra nga shpërthimi i një bombe.

"Njerëzit kanë kaluar kohë të vështira, kanë humbur çdo gjë. Disa kanë kanë humbur familjet e tyre. Disa kanë humbur babanë apo vëllanë. Ne duam që lufta të përfundojë, nuk duam asgjë tjetër” thotë Mohammad Motraddini, një refugjat sirian.

Ai dhe një refugjat tjetër sirian, Abduhallak Ibrahim, thonë se janë pritur me ngrohtësi në Greqi.

"Më në fund ndihemi të sigurt këtu. Ecnim 10 hapa dhe kishim frikë se mos humbisnim fëmijët. Pasi mbërritëm këtu në Greqi, situata ndryshoi. Zemrat tona janë lehtësuar, falë Zotit, nuk jemi më të shqetësuar."

Trageti i morri imigrantët nga ishujt Lesbos dhe Chios. Shumë prej tyre kishin blerë bileta autobuzi për të shkuar në kufirin grek me Maqedoninë.

Më shumë se 700 imigrantë kanë humbur jetën në anijet kontrabandë në ujrat mes Turqisë dhe Greqisë.

Sipas rojes bregdetare greke, pesë fëmijë, një grua dhe katër burra u mbytën të mërkurën pasi anija e tyre u fundos në brigjet e ishullit grek Farmakonisi.

13 të tjerë, 11 burra dhe dy gra u shpëtuan ndërsa dy të tjerë figurojnë të humbur.

Incidenti ndodhi në lindje të Farmakonisit, pranë bregdetit me Turqinë.

BE-ja po mbështetet tek Ankaraja për të ndaluar fluksin e refugjatëve nga Turqia për në Greqi dhe më pas drejt Gjermanisë dhe vendeve të tjera të BE-së.

XS
SM
MD
LG