Lidhje

Pasojat e daljes së Greqisë nga Eurozona


Analistët thonë se vota Jo! në referendumin grek rrit shanset që Greqia të heqë dorë nga monedha Euro dhe në vijim problemet e saj ekonomike do të keqësohen. Të dielën grekët hodhën poshtë me votën e tyre kërkesat e kreditorëve për reforma më të thalla ekonomike dhe shkurtime më të ashpra në shpenzime, në shkëmbim për kredi shtesë.

Një artikull redaksional i gazetës The Wall Street Journal shkruan se grekët kanë përjetuar disa nga “pasojat e shëmtuara” të votës negative, me krizën bankare dhe kufizimin e parave që mund të tërhiqet nga bankomatet.

Analisti Athos Larkou shkruan se tani ka një mundësi shumë më të madhe për një dalje të “pakontrolluar” nga eurozona. Ai thotë se arritja e një marrëveshjeje mes Athinës dhe kreditorëve të saj është ende e mundshme por nuk ka shumë kohë dhe ekziston një rrezik i madh për politika të gabuara. Analisti thotë se nuk ka shembull të mëparshëm të braktisjes së Euros dhe procesi i nxjerrjes së letrave me vlerë për të financuar borxhet dhe detyrimet ekzistuese si dhe prerja e një monedhe të re përbëjnë një projekt të paprovuar më parë dhe mund të shkaktojnë dëme të rënda ndaj ekonomisë greke.

Pedagogu i Universitetit Duke, Tim Buthe thotë se është thuajse e garantuar se Greqia do të largohet nga eurozona dhe do t’i duhet që thuajse menjëherë të prezantojë një monedhë tjetër.

Joseph Gagnon i Institutit Peterson për Ekonominë Ndërkombëtare thotë se konvertimi i kontratave, depozitave bankare, borxheve dhe aktiviteteve të tjera të biznesit në një monedhë të re do të jetë i vështirë. Ai thotë se shumë banka dhe kompani mund të detyrohen nga kontratat ekzistuese t’i paguajnë borxhet me euro dhe si rezultat mund të falimentojnë. Po ashtu, mungesa e besimit në monedhën e re mund të sjellë inflacion të pakontrollueshëm.

Një raport i kompanisë Goldman Sacks thotë se Greqia mund të detyrohet të hyjë në negociata të reja me kreditorët. Kompania thotë se negociatorët grekë kanë kërkuar reduktim të borxhit, por nuk ka gjasa që ky reduktim të miratohet.

Pedagogu i Universitetit Columbia Jeffrey Sachs thotë se keqmenaxhimi që vazhdoi prej një brezi në Greqi e çoi vendin në një gjendje të rëndë, por situate aktuale ishte rezultat edhe i gabimeve të rënda të kreditorëve. Ai thotë se kreditorët duhet të ulin shumën e këstit që paguan Greqia, për të mos e çuar gjendjen në katastrofë më të thellë. “Kufoma, thotë ai, nuk mund të realizojë reforma”.

Gjermania është ndër kreditorët kryesorë të Greqisë dhe një kundërshtare e prerë e ndihmave të mëtejshme për uljen e borxhit. Zoti Sachs thotë se Berlini pat përfituar nga ndihmat pas Luftës II Botërore, por e ka harruar të kaluarën e tij.

Artikulli redaksional i gazetës The Wall Street Journal u bën thirrje kancelares Angela Merkel dhe udhëheqësve të tjerë evropianë të mos epen para thirrjeve për reduktimin e borxhit grek, edhe nëse pasojat afat-shkurtra do të jenë të rënda. Kjo gazetë që mbështet politika pro-biznesit, thotë se reformat për rritje ekonomike kanë filluar të japin shenja përparimi në vende të tjera të ngarkuara me borxhe. Artikulli e cilëson kërkesën e Greqisë për uljen e borxhit një “shantazh politik” dhe thotë se nëse Evropa dorëzohet para presionit grek, mund të minohen ndryshimet ekonomike që janë të domosdoshme për Greqinë dhe vende të tjera.

Pedagogu i Universitetit Duke Tim Buthe thotë se kriza do të ndikojë dukshëm tek Greqia, e cila do ta ketë të pamundur të marrë borxh në tregje ndërkombëtare ose mund të marrë vetëm kredi me interes tepër të lartë. Por kjo situatë nuk do të ndjehet shumë në shkallë ndërkombëtare, pasi Greqia është një vend relativisht i vogël.

Stephanie Flanders e kompanisë JPMorgan parashikon që kriza do të trazojë tregjet evropiane dhe mund të ketë ndikime afat-gjata politike për Evropën. Por nëse politikanët marrin masa të vendosura për të mos lejuar përhapjen e problemit, ka shanse për të mos lejuar që kriza të pengojë rimëkëmbjen ekonomike të kontinentit.

Analistët e kompanisë Goldman Sachs thonë se deri tani tregu i letrave me vlerë nuk ka reaguar në mënyrë dramatike. Por ata parashikojnë se normat e interest do të rriten nëse kriza vazhdon dhe dobëson besimin e kredi-dhënësve në gjetjen e një zgjidhjeje.

XS
SM
MD
LG