Lidhje

Greqia bën lëshime të papritura


Kryeministri i Greqisë Alexis Tsipras i bëri thirrje sot ligjvënësve të mbështesin një paketë reformash të ashpra, pak, pasi bëri lëshime të papritura të minutës së fundit, në përpjekje për të shpëtuar vendin nga një kolaps financiar.

Partnerët e Eurozonës u dukën të gatshëm për të arritur gjatë fundjavës një marrëveshje që do të mbante Greqinë brenda Eurozonës.

Pasi hyri mes duartrokitjeve në një mbledhje të partisë, zoti Tsipras u përpoq të fitonte mbështetjen e ligjvënësve të tij për propozimin e ri. Ai u bëri thirrje ta ndihmojnë Greqinë të qëndrojë në Euro, por u përball me rezistencën e disa majtistëve të befasuar që ai ka pranuar tashmë disa masa shtrënguese të refuzuara më parë.

“Ballafaqohemi me vendime kritike”, i tha zoti Tsipras grupit të tij parlamentar. “Kemi mandatin për të arritur një marrëveshje më të mirë se ajo që na dha Eurogroup-i, por i cili nuk është absolutisht një mandat për të nxjerrë Greqinë nga Eurozona,” shtoi ai.

Paketa më e fundit për reforma është tepër e ngjashme me kushtet që grekët refuzuan në referendum të dielën e kaluar, duke zemëruar kështu anëtarët e plaftformës së majtë brenda partisë Syriza. Pesë prej tyre nënshkruan një letër ku thuhej se do të ishte më mirë të rikthehej dhrahmia, se sa të pranonin masa të mëtejshme shtrënguese pa marrë falje të borxhit.

Ministri i energjisë, Panagiotis Lafazanis, i cili i përket fraksionit të majtë, i tha agjensisë Reuters se “propozimi nuk përputhet me programin e partisë Syriza”. Ai nuk rrëfeu se si do të votojë gjatë seancës parlamentare.

Edhe në rast se do të ketë një rebelim nga brenda partisë së tij, zotit Tsipras i është garantuar mbështetja e ligjvënësve të opozitës për të arritur numrin e duhur të votave, por kjo do të dobësonte pozitat e tij politike. Partia e qendrës, To Potami, dhe partia kryesore e opozitës së qendrës së djathtë, Demokracia e Re, kanë thënë se do ta mbështesin.

“Serioze dhe e besueshme”

Gjermania, vendi që ka kontribuar më shumë për fondet e shpëtimit, u tregua e kujdesshme. Një zëdhënës i ministrisë së financave përjashtoi mundësinë e një ristrukturimi të borxhit që do sillte ulje të vlerës së tij reale.

Franca, mbështetësja më e madhe e Greqisë në Eurozonë, shpejtoi ta vlerësojë propozimin.

Presidenti francez Hollande e quajti ofertën “serioze dhe të besueshme”. Kreu i Eurogroup-it, Jeroen Dijsselbloem e quajti një “tekst të detajuar”, por nuk hyri në detaje. Ai u tha gazetarëve se një mbështetje e gjerë në Greqi do t’i jepte më shumë besueshmëri, por se edhe atëherë duhet shqyrtuar me kujdes dhe se sidoqoftë do të jetë një vendim shumë i rëndësishëm për t’u marrë.

Mbështetja e kreditorëve është thelbësore në mënyrë që udhëheqësit e Eurozonës të mbështesin propozimin. Zoti Dijsselbloem, Presidenti i Komisionit Evropian Jean-Claude Juncker, Presidenti i Bankës Qendrore Evropiane Maroi Draghi dhe kreu i Fondit Monetar Ndërkombëtar Christine Lagarde e diskutuan planin nëpërmjet një videokonference.

Euro fitoi mbi 1% ndaj dollarit dhe tregjet evropiane përjetuan një përmirësim. Bonot italiane, spanjolle dhe portugeze ranë, duke reflektuar kështu perceptimin e zvogëlimit të riskut.

Sekretari amerikan i Thesarit, Jack Lew, tha se Greqia dhe kreditorët e saj duket se janë më pranë një marrëveshjeje, dhe bëri thirrje për një përshtatje të barrës së borxhit të Athinës, për të lehtësuar shpërndarjen e parave të thata. Greqisë i duhet ende të zbusë qëndrime të ashpra ndaj saj nga partnerët e tjerë të Eurozonës.

Ministrat e financave të 19 vendeve të Eurozonës do të takohen të shtunën për të vendosur nëse do të rekomandojnë hapjen e negociatave për një program të tretë shpëtimi, megjithë lodhjen prej krizës 5-vjeçare greke. Një zyrtar i lartë i BE-së tha se në takim do të diskutohet edhe nëse duhen lehtësuar kushtet e borxhit.

Greqia ka kërkuar 53.5 miliardë Euro deri në vitin 2018, si dhe një rishikim të borxhit afatgjatë të vendit.

Një marrëveshje e re do të duhet të miratohet edhe nga parlamentet e vendeve anëtare, përfshirë Gjermaninë.

Parlamenti i Estonisë ishte i pari që i dha qeverisë estoneze miratim të kushtëzuar për të negociuar me Greqinë, pasi Komisioni të jetë shprehur se ekzistojnë premisat për bisedime.

“Zgjedhja e duhur”

Zoti Tsipras ka kërkuar një votim të shpejtë në parlament, për të marrë mbështetje për një listë veprimesh paraprake, të cilat qeveria e tij duhet t’i ndërmarrë për të bindur kreditorët rreth synimeve të saj, dhe për të siguruar një fond fillestar.

Ish-ministri i financave Varoufakis, i cili armiqësoi shumë prej partnerëve evropianë, u shpreh se mbështet përpjekjet e Greqisë për të rinegociuar borxhin, por se nuk do të marrë dot pjesë në seancën parlamentare “për arsye familjare”.

Oferta më e fundit e Greqisë parashikon shkurtim të shpenzimeve, privatizime të aseteve shtetërore, si p.sh. portin e Pireut dhe aeroportet vendore, rritje të taksave për hotelet dhe restorantet, dhe heqjen e një pagese shtesë për pensionistët më të varfër.

Analisti i Commerzbank, Markus Koch, thotë se “JO”-ja e referendumit duket se është shndërruar prej zotit Tsipras në një “PO”.

Bankat greke vazhdojnë të jenë të mbyllura që më 29 qershor, kur u vendos kontroll mbi kapitalin dhe kufizime për tërheqjen e parave të thata, pas dështimin të bisedimeve të mëparshme. Greqia nuk pagoi dot një këst për FMN-në dhe tashmë përballet me një tjetër afat pagese ndaj BQE-së, më 20 korrik, pagesë të cilën nuk e kryen dot pa ndihmë.

Vendi ka marrë tashmë dy fonde shpëtimi prej 240 miliardë Eurosh nga Eurozona dhe FMN-ja, që nga viti 2010, por ekonomia e vendit është zvogëluar me 25%, papunësia është në mbi 25%, dhe një ndër dy të rinj grekë është i papunë.

Zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë, Josh Earnest, u shpreh të premten në Uashingtoni se “jemi të kënaqur të shikojmë Greqinë të ndërmarrë këtë hap duke paraqitur një propozim konkret, por se tashmë është në duart e kreditorëve të japin vlerësimin e tyre.”

XS
SM
MD
LG