Lidhje

Shqipëri, hyn në fuqi paketa e re penale


Ndëshkime deri në 30 vjet burg apo burgim të përjetshëm për ata që vrasin punonjës policie, gra, apo për gjakmarrje.

Në Shqipëri prej ditës së sotme kanë hyrë në fuqi ndryshimet në kodin penal të cilat parashikojnë një ashpërsim të ndjeshëm të dënimeve për rastet e vrasjeve të policëve, grave, për gjakmarrje apo dhe armëmbajtje pa leje të cilat shkojnë deri në 30 vjet deri burgim të përjetshëm. Një element i ri i kësaj pakete është se për këto vepra penal nuk ka dënim alternativ dhe nuk parashikohet asnjë lloj lehtësie

Një numër në rritje të vrasjeve brenda familjes, apo dhe të punonjësve të policisë nxitën që prej fundviti të shkuar hartimin e një pakete te re penale me masa më të forta ndëshkimi. Pasi iu nënshtrua edhe diskutimeve publike ajo u miratua me konsensusin e të dyja palëve në parlament në fillim të muajit maj, ndërsa sot pas botimit në fletoren zyrtare ajo është bërë efektive.


“Kushdo që do të ngrejë dorë mbi policinë e Shtetit duhet të dijë mirë se nuk do të ketë dënim më të ulët se 30 vjet burg deri në burgim të përjetshëm, kushdo që do të ngejë dorën dhe do të vrasë për gjakmarrje duhet ta dijë mirë se nuk do të ketë më një dënim më të ulët se 30 vjet burg deri në burgim të përjetshëm. Kushdo që do të ngrejë dorë mbi gruan, mbi vajzën shqiptare duhet ta dijë mirë se do të ketë një dënim nga 20 vjet burg deri në burgim të përjetshëm”, theksoi Ministri i Drejtësisë Eduard Halimi.

Po ashtu, paketa parashikon dënime jo më pak se 25 vjet burg në rastet e dhunës ndaj të miturve kur ajo sjell si pasojë vdekjen e tyre, ndërsa armëmbajtja pa leje nuk do të jetë më pak se 7 vjet, ndërsa nëse ajo shoqërohet me pasoja atëherë dënimi minimal do të jetë 25 vjet burg. Ministri Halimi tha sot se kjo paketë do të rrisë sigurinë në vend: “Kjo është paketa penale e cila është një garanci më shumë për jetën e qytetarëve, për mbrojtjen e integritetit të policisë së Shtetit, për mbrojtjen e jetës së grave dhe reduktimin e fenomenit të gjakmarrjes. Kjo paketë do të zpraps krimin dhe do të japë më shumë siguri për jetën për familjen, për pronën dhe jetën e tyre”.

Efektet e këyre ndëshkimeve pritet të shihen në të ardhmen. Jo gjithnjë rritja e masës së dënimit shoqërohet automatikisht me uljen e kriminalitetit. Por kjo paketë ka një element të ri të rëndësishëm. Gjykatësit, të cilët jo në pak raste janë vënë në akuzë për gjetjen e hapësirave ligjore që kanë cuar edhe në lirim të vrasësve, nuk do të kenë mundësi zgjedhjeje, pasi ndryshimet nuk parashikojnë dënime alternative apo lehtësime dhe as lirim me kusht para kohe.
XS
SM
MD
LG