Lidhje

Hamasi ekzekuton 18 palestinezë të dyshuar si informatorë


Militantët e Hamasit në Rripin e Gazës kanë ekzekutuar 18 palestinezë, të akuzuar për bashkëpunim me Izraelin.

Dëshmitarët thanë se në një incident, militantët rreshtuan shtatë burra jashtë një xhamie në një nga sheshet kryesore të Gazës.

Ata i qëlluan dhe i vranë të dyshuarit, para qindra njerëzve. Kokat e personave që u ekzekutuan ishin mbuluar me qese.

Në një shënim të vendosur mbi një mur aty pranë thuhej se personat kishin dhënë informacione lidhur me vendodhjen e tuneleve, luftëtarëve dhe armatimeve, që më pas ishin goditur nga Izraeli.

Ekzekutimet u kryen një ditë, pasi Izraeli vrau tre komandantë të lartë ushtarakë të Hamasit.

Po të premten, Hamasi mori përgjegjësinë për rrëmbimin dhe vrasjen e tre adoleshentëve izarelitë në qershor, incidenti që çoi në luftën e tanishme në Gazë.

Udhëheqësi i Hamasit, Saleh Arouri tha në një konferencë në Turqi se dega ushtarake e Hamasit, Brigadat Al-Qassam, e kreu operacionin, me synimin për fillimin e një kryengritjeje.

Deri në komentet e Arourit të premten, Hamasi nuk kishte thënë më parë në mënyrë të drejtpërdrejtë se e kishte planifikuar me një qëllim të caktuar rrëmbimin dhe vrasjen e tre adoleshentëve izraelitë.

Në Izrael, në një reagim, zëdhënësi Mark Regev tha se udhëheqësi i Hamasit tregoi me këtë koment se grupi i tij "nuk ka asnjë lloj shqetësimi" që ve në shënjestër civilë të pafajshëm."

Në luftimet e së premtes, zyrtarët izraelitë thanë se një djalë 4-vjeçar u vra, gjatë sulmeve me mortajë pranë një kopështi fëmijësh një Izraelin jugor. Ata thanë se ky është fëmija i parë që vritet që nga 8 korriku, kur filloi dhuna. Zyrtarët palestinezë thanë se sulmet ajrore nga Izraeli vranë të premten të paktën 4 palestinezë dhe plagosën të paktën 40 të tjerë.

XS
SM
MD
LG