Lidhje

Egjipt, urdhër-arreste për udhëheqës të Vëllazërisë Myslimane


Kryeprokurori i Egjiptit ka urdhëruar arrestimin e udhëheqësve kryesorë të Vëllazërisë Myslimane, edhe pse kryeministri i përkohshëm i vendit përgatitet t'i ofrojë këtij grupi poste në qeverinë kalimtare.

Në një deklaratë të bërë sot, zyra e prokurorit tha se personat për të cilat janë lëshuar mandat arrestet dyshohen për nxitje të dhunës në fillim të kësaj jave.

Në deklaratën e zyrës së kryeprokurorit thuhet se mandat-arrestet janë lëshuar për udhëzuesin suprem të Vëllazërisë Myslimane, Mohammed Badie, për një nga zëvendësit e tij dhe tetë persona të tjerë.

Deklarata thotë se ata dyshohen për nxitje të dhunës pranë selisë së Gardës Republikane ku humbën jetën më shumë se 50 persona.

Zëdhënësi i Vëllazërisë myslimane, Gehad El-Haddad, nëpërmjet Twitterit, i quajti urdhër arrestet "të njëjtat taktika të vjetra si ato të Policisë së Shtetit", duke shtuar se edhe ai vetë ishte akuzuar për tradhti.
Ndërkohë, sipas medias shtetërore Kryeministri i përkohshëm i sapo-emëruar i vendit Hazem el-Biblawi, thuhet se ka në plan t'u ofrojë poste në kabinetin e ri Vëllazërisë Myslimane dhe Partisë islamiste Nour.

Televizioni shtetëror egjiptian transmetoi fotografi të një takimi ndërmjet presidentit të përkohshëm Adly Mansour të mbështetur nga ushtria, dhe Kryeministrit të sapo-emëruar, të cilët thonë se po punojnë për një tranzicion të shpejtë që përfshin ndryshimin e kushtetutës dhe mbajtjen e zgjedhjeve të reja parlamentare dhe presidenciale.

Vëllazëria myslimane është mes grupeve që i kritikojnë planet e tranzicionit duke shprehur mosbesim.

Sot para agimit, protestuesit në Kajro bënë lutjet dhe hëngrën një vakt para ditës së parë të Ramazanit, muajit të shenjtë të agjërimit dhe lutjeve për myslimanët e gjithë botës.

Një përkrahës i Morsit tha se ai shpreson që Ramazani të sjellë fundin e dhunës:"I lutem Allahut që ky muaj të sjellë mirësi dhe besnikëri në mes të të gjitha fraksioneve të popullit egjiptian. Uroj që ata të cilët kanë bërë gabime, t'i mohojnë dhe korrigjojnë ato. Ata që nuk dëshirojnë ta shohin vendin të ecë përpara, duhet të mendohen përsëri para se të bëjnë ndonjë veprim.''

Zëdhënësja e Departamentit amerikan të Shtetit Jen Psaki tha dje se Shtetet e Bashkuara janë në kontakt me Vëllazërinë Myslimane dhe po e inkurajojnë që të marrë pjesë në procesin kalimtar. Ajo tha se çdo proces në Egjipt duhet të jetë gjithëpërfshirës.

Ajo nuk tha nëse zyrtarët amerikanë i kanë kërkuar forcave egjiptiane të sigurisë që të lirojnë anëtarët e Vëllazërisë Myslimane.

"Mesazhi ynë është i qartë, ne duam të shohim transparencë. Duam të shohim respektimin e procesit gjyqësor dhe sundimit të ligjit."

Zëshënësja e Departamentit të Shtetit Jen Psaki dhe Zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë Jay Carney i kanë bërë thirrje forcave egjiptiane të sigurisë të ushtrojnë "përmbajtje maksimale", gjatë përballjeve me përkrahësit e zotit Morsi. Por, ata nuk e kanë dënuar drejtpërdrejt vrasjen e më shumë se 50 njerëzve të hënën afër një objekti ushtarak në Kajro, duke thënë se hetimet për këtë incident janë duke vazhduar.

Zgjedhja e kryeministrit të përkohshëm është shoqëruar me premtime për ndihmë financiare prej miliarda dollarësh për Egjiptin nga Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Arabia Saudite.

Në një deklaratë të presidentit Mansour thuhet se udhëheqësi reformist dhe fituesi i Çmimit Nobel për Paqen Mohamad ElBaradei do të emërohet në postin e nënpresidentit.
XS
SM
MD
LG