Lidhje

Ligji për kujdesin shëndetësor, çështje madhore në zgjedhje


Legjislacioni për kujdesin shëndetësor i Presidentit Barack Obama, do të jetë në qendër të debatit politik gjatë fushatës për zgjedhjet e Kongresit në fund të këtij viti. Megjithë problemet që hasi në fillim zbatimi i ligjit, Shtëpia e Bardhë deklaroi kohët e fundit se mbi 7 milionë vetë janë regjistruar për sigurime shëndetësore dhe kjo ua ka shtuar shpresat disa demokratëve për rizgjedhje.

Pas një fillimi të vështirë, ligji për sigurimet shëndetësore po tregon shenja se po stabilizohet. Vullnetarët në Los Angeles, mes së cilëve edhe Elliot Perry, ishin të zënë me punë.

“Sot po shkon shumë mirë. Njerëzit janë shumë të interesuar të marrin sigurime”.

Përkrahësit e ligjit po përpiqen të bindin të rinj si Danny Segovia që më parë i kishte shmangur sigurimet shëndetësore.

“Nëse marr sigurime tani, atëherë jam në rregull. Mund të luaj sport pa frikë”.

Presidenti Obama foli në Shtëpinë e Bardhë për përparimin e kohëve të fundit.

“Unë gjithmonë do të bashkëpunoj me këdo që përpiqet ta përmirësojë edhe më shumë ligjin. Por debati për shfuqizimin e tij nuk është mbyllur. Ky ligj nuk do të shfuqizohet”.

Demokratët në Kongres shpresojnë që të jetë kështu. Por republikanët, përfshirë Kreun e Dhomës së Përfaqësuesve, John Boehner vazhdojnë ta sulmojnë ligjin duke thënë se rëndon mbi ekonominë dhe premtojnë se do ta bëjnë një çështje madhore të fushatës.

“Unë mund t’ju tregoj qindra letra nga votuesit që i ka dëmtuar ky ligj”.

Debati në Kongres për këtë çështje duket i pafund, dhe në të janë përfshirë republikanë si Senatori John Thune i Dakotës së Jugut...

“Ligji për sigurimet shëndetësore që u miratua para disa vitesh, ende vazhdon të ndikojë negativisht në hapjen e vendeve të punës në vend”.

Apo demokratë si Senatori Richard Durbin i Ilinoit.

“Por asnjë republikan nuk është ulur të diskutojë dhe të bashkëpunojë për kompromise dhe ndryshime dypalëshe”.

Kundërshtimi ndaj ligjit për kujdesin shëndetësor, ka gjasa t’i mobilizojë votuesit republikanë në nëntor, thotë Carroll Doherty e Qendrës Kërkimore Pew.

“Është një faktor që shton energjinë në bazën republikane. Pjesëmarrja është shumë e rëndësishme dhe kjo është një çështje që ngjall shumë emocione, veçanërisht mes republikanëve”.

Por reforma e kujdesit shëndetësor nuk është e vetmja çështje e fushatës së këtij viti, thotë John Fortier i Qendrës Dypartiake të Politikave.

“Mendoj se dy faktorët kryesorë në thelb të zgjedhjeve për kongresin këtë vit janë: si po ecën ekonomia dhe si po ecën puna e Presidentit në Shtëpinë e Bardhë. Dhe zakonisht, partia së cilës i takon presidenti nuk del shumë mirë në zgjedhjet për kongresin në mes të mandatit presidencial”.

Rezultati i zgjedhjeve të nëntorit do të jetë shumë i rëndësishëm për dy vitet e fundit të mandatit të presidentit Obama.
XS
SM
MD
LG