Lidhje

Libri “Mein Kampf” i Adolf Hitlerit


Libri gjysëm biografik i Hitlerit, “Mein Kampf”, “Lufta ime” del këtë javë në shitje në Gjermani dhe në disa vende të tjera të botës, pas skadimit të së drejtës së autorit në fund të vitit 2015. Libri është i pajisur me shënime. Botimi i ri gjerman i manifestit politik të Hitlerit për herë të parë pas 70 vjetësh, ka shkaktuar një debat, nëse kjo vepër antisemite duhej botuar apo jo.

Landi gjerman i Bavarisë, që gëzonte të drejtën e autorit për librin e Hitlerit që nga viti 1945, i kishte refuzuar kërkesat e botimit, në shenjë respekti për viktimat e nazizmit. Por më 1 janar, vepra u bë pronë publike dhe disa botues kanë përgatitur kopjet e tij, të cilat do të botohen të shoqëruara me shënime dhe do të dalin në shitje.

Komunitetet hebraike thonë se libri është një kujtesë e trishtueshme e së keqes që ai frymëzonte.

"Nuk e imagjinoj dot librin “Mein Kampf” që të shitet në librari. Shpresoj që të ndalohet, se bie në kundërshtim me ligjet kundër nxitjes së rebelimit,” thotë Charlotte Knobloch, e Qendrës së komunitetit izraelit në Gjermani

Libri nuk ndalohet në Gjermani dhe autoritetet pak mund të bëjnë për këtë.

"Nuk është e lehtë ta ndalosh librin për shkak të së drejtës së autorit; megjithatë, një veprim që duket të jetë krim me bazë urrejtjen mund të ndiqet penalisht. Vepra të tilla kriminale do të ndiqen në mënyrë shumë sistematike në të ardhmen”, - thotë ministri gjerman i drejtësisë, Heiko Maas.

Po ashtu, ekzistojnë argumente se libri prej 800 faqesh duhet të çmistifikohet, dhe se mënyra më e mirë është të ketë një botim të shoqëruar me shënimet e nevojshme.

"Mein Kampf” nuk mund të lexohet si Bibël. Libri duhet vënë në kontekst. Nëse veprojmë kështu, libri nuk ka për të patur ndikim negativ, krahasuar me atë që shohim sot, me grupin Pegida kundër emigrantëve, që e citojnë librin pa e menduar mirë,” – thotë një gjerman.

Libri i Hitlerit është ndaluar në disa vende, përfshirë Austrinë dhe Holandën dhe është tabu në Izrael, ku gjenden vetëm kopje të shkurtuara për efekt studimi. Disa studiues izraelitë mendojnë se është e nevojshme të ketë një version të plotë në vend.

“Mein Kampf” është një libër i rëndësishëm, sepse Hitleri ka shpenzuar shumë kohë për ta shkruar, pra libri përmban ide bazë të mendimeve të tij, nga të cilat disa u zbatuan, disa jo; por edhe pjesët që nuk u zbatuan, kanë rëndësi për të kuptuar mjedisin shoqëror ku u rrit Hitleri,” thotë Dan Michman, i Instituti ndërkombëtar për kërkime hebraike, “Yad Vashem”.

Shumë izraelitë shprehin dyshime.

“Është një çështje e komplikuar. Nga njëra anë nuk shqetësohem nga fakti që “Mein Kampf” mund të përhapet në botë, duke patur parasysh përbajtjen e tij me urrejtje, por në anën tjetër, nuk mund të kontrollosh të drejtën e të shprehurit,”- thotë një banore e Jeruzalemit.

“Mein Kampf” është një përmbledhje e ideologjisë së Hitlerit dhe konsiderohet si baza e politikave të tij të Socializmit Kombëtar. Ai e shkroi atë kur ishte në burg, në Bavari, ku po kryente dënimin për tradhti, pas dështimit të një grushti shteti të vitit 1923 në Mynih.

XS
SM
MD
LG