Lidhje

Hollande, Merkel, Rajoy, homazhe për viktimat e avionit A320


Ekipet e kërkimit kanë rifilluar punën në vendin e rrëzimit të avionit A320 të firmës Germanwings në Alpet franceze. Avioni u rrëzua dje duke shkaktuar vdekjen e 150 njerëzve në bord.

Udhëheqësit e Gjermanisë, Francës dhe Spanjës u mblodhën në Alpet franceze pranë vendit të rrëzimit të avionit për të bërë homazhe për të 150 viktimat në bordin e tij.

Presidenti francez Francois Hollande dhe kancelarja gjermane Angela Merkel arritën me helikopter në një livadh malor, pranë qytetit Seynes-les-Alpes. Me ta u bashkua edhe Kryeministri spanjoll Mariano Rajoy. Zoti Hollande vlerësoi punën e ekipeve të kërkimit, të cilët po përpiqen të nxjerrin trupat e viktimave nga vendi i ngjarjes.

Ministria e brendshme franceze tha se është gjetur njëra nga të ashtuquajturat "kuti të zeza". Edhe pse e dëmtuar, ajo është duke u analizuar në Paris për të përcaktuar shkakun e rrëzimit.

Avioni u rrëzua dje në mëngjes gjatë rrugës nga Barcelona e Spanjës për në Dusseldorf të Gjermanisë, pa lëshuar asnjë sinjal rreziku. Mes udhëtarëve kishte një numër të madh shtetasish spanjollë dhe gjermanë, si dhe turq, hollandezë, australianë dhe dy amerikanë.

Mes viktimave ishin dy këngëtarë gjermanë të operas dhe 16 të rinj gjermanë që ktheheshin nga një udhëtim shkollor. Përpjekjet e kërkimit pritet të zgjasin të paktën një javë.

Lufthansa, kompania së cilës i përket filiali Germanwings, thotë se është duke e trajtuar ngjarjen si aksident dhe paralajmëroi se çdo referencë për një akt të mundshëm terrorizmi është thjesht spekulim. Edhe Shtëpia e Bardhë nuk njofton për ndonjë lidhje të kësaj ngjarjeje me terrorizmin.

Germanwings bëri një deklaratë ku thotë se ka anuluar disa fluturime të planifikuara për sot për shkak se disa anëtarë ekuipazhi kanë kërkuar të mos fluturojnë. Kompania tha gjithashtu se është "e tronditur dhe e pikëlluar" nga aksidenti dhe ka premtuar një hetim të plotë.

XS
SM
MD
LG