Lidhje

SHBA, rezolutë kundër ndërhyrjes ruse në Ukrainë


Ndërkohë që kriza në Ukrainë vazhdon, Dhoma e Përfaqësuesve dje miratoi me shumicë dërrmuese të votave një rezolutë e cila dënon shkeljen e sovranitetit të Ukrainës nga ana e forcave ushtarake ruse, dhe bën thirrje për vendosjen e vëzhguesve ndërkombëtarë në Krime dhe rajone të tjera të Ukrainës. 403 ligjvënës votuan në favor të rezolutës dhe gjashtë prej tyre votuan kundër. Siç njofton korrespondentja e Zërit të Amerikës Cindy Saine, republikanët dhe demokratët janë të bashkuar në dërgimin e një mesazhi për Moskën.

Me një shfaqje të rrallë të unitetit, Dhoma e Përfaqësuesve miratoi masën e dytë në më pak se një javë për të treguar solidaritet me popullin e Ukrainës. Javën e kaluar, Dhoma e Përfqësuesve miratoi një projekt-ligj për t’i dhënë 1 miliard dollarë hua të garantuar qeverisë së re ukrainase. Senati gjithashtu po shqyrton një paketë ndihmash për Ukrainën, por nuk ka votuar ende. Qeveria e përkohshme e Ukrainës i ka bërë thirrje për ndihmë Shteteve të Bashkuara dhe Britanisë së Madhe.

Ligjvënësi demokrat Steny Hoyer tha se rezoluta e miratuar dje tregon qëndrimin e amerikanëve mbi ndërhyrjen ruse në Ukrainë.

"Populli i Ukrainës i cili dëshiron të ndërtojë një të ardhme të bazuar në demokraci dhe liri do të na dëgjojë dhe do të forcohet nga mbështetja jonë".

Duke marrë parasysh ngecjen e përpjekjeve diplomatike për zgjidhjen e krizës, disa udhëheqës republikanë janë duke bërë thirrje që Shtetet e Bashkuara të përshpejtojnë eksportin e saj të gazit natyror në Evropë, pasi Ukraina dhe një numër i vendeve evropiane janë të varura nga Rusia për nevojat e tyre të energjisë. Luke Messer është ligjvënës republikan.

"Amerika duhet të shfrytëzojë këtë mundësi për të zgjeruar prodhimin e energjisë dhe eksportimin e saj për t’i dërguar një mesazh të qartë Ukrainës, Rusisë dhe aleatëve tanë se Amerika nuk do të lejojë Rusinë të përdorë burimet e saj të energjisë për të frikësuar botën".

Sot, Kryeministri i përkohshëm ukrainas, Arseniy Yatsenyuk do të vizitojë Shtëpinë e Bardhë dhe kongresin amerikan ku ai do të takohet me kryetarin e Komisionit të Senatit për Marrëdhëniet me Jashtë, Robert Menendez dhe anëtarë të tjerë të këtij komisioni.
XS
SM
MD
LG