Lidhje

McCarthy tërhiqet nga gara për kreun e Dhomës së Përfaqësuesve


Pretendenti kryesor për postin e Kryetarit të Dhomës së Përfaqësuesve u tërhoq papritur nga gara sot, duke krijuar ndërlikime të reja në proces.

Ligjvënësi nga Kalifornia Kevin McCarthy kishte kërkuar mbështetjen e 247 republikanëve të Dhomës me 435 anëtarë, për të zëvendësuar kryetarin aktual John Boehner, i cili del në pension në fund të muajit.

Zoti McCarthy u tha përkrahësve se kishte siguruar mbështetje të mjaftueshme nga republikanët në Dhomën e Përfaqësuesve për të siguruar postin në zgjedhjet e 29 tetorit. Por dy ligjvënës të tjerë republikanë, Jason Chaffetz nga Utah dhe Daniel Webster nga Florida kishin njoftuar kandidaturën, duke e ndërlikuar zgjedhjen e zotit McCarthy në votim, nëse republikanët do të votonin kundër tij.

Ligjvënësit McCarthy, Chaffetz dhe Webster prezantohen secili si konservatorë, por një grup republikanësh të vijës së ashpër konservatore në Dhomën e Përfaqësuesve i përbërë nga rreth 40 ligjvënës po mbështesin kandidaturën e zotit Webster.

Në takimin e grupit sot, zoti McCarthy u tërhoq duke lënë të shtangur kolegët e tij.

Procesi i zgjedhjes së kandidatit të këtij grupi për konkurrim u shty për më vonë.

Kryetari i Dhomës shpesh herë përcakton rendin e ditës për partinë që kontrollon Dhomën e Përfaqësuesve. Në bazë të Kushtetutës amerikane, ai është i dyti në hierarki, pas nënpresidentit amerikan, për të drejtuar vendin nëse presidenti bëhet i pamundur për përmbushur detyrën.

John Boehner njoftoi dorëheqjen muajin e kaluar pas një karriere 25 vjeçare në Dhomën e Përfaqësuesve dhe pas pesë vjetëve si Kryetar i Dhomës. Ai ndeshi në rezistencë gjatë kryesisë së tij nga krahu i ashpër i partisë, shumica anëtarë të lëvizjes Tea Party, të cilët kërkonin të kishin ndikim më të madh në vendim-marrje.

XS
SM
MD
LG