Lidhje

Sergei Hrushov flet mbi Krimenë


Krimea tani është nën kontrollin e forcave të armatosura ruse. Për të diskutuar mbi situatën në atë rajon, korrespondenti i Zërit të Amerikës Andre de Nesnera zhvilloi një bisedë me zotin Sergei Hrushov, djali i ish-udhëheqësit sovjetik Nikita Hrushov.

Krimea është një gadishull ukrainas, por dhe bazë e flotës ruse të Detit të Zi, që lejon Moskën të zgjerojë praninë e saj ushtarake në Mesdhe. Shumica e popullsisë është e etnisë ruse, një e katërta është ukrainase dhe rreth 12 për qind janë tatarë të Krimesë.
Për shekuj me radhë, Krimea ishte pjesë e Rusisë, deri në vitin 1954 kur udhëheqësi sovjetik Nikita Hrushov ia dha gadishullin Ukrainës, e cila në atë kohë ishte republikë sovjetike.

Djali i Nikita Hrushovit, Sergei, thotë se vendimi për t’ia dhënë Krimenë Ukrainës kishte të bënte me ekonominë dhe bujqësinë, me ndërtimin e një dige hidro-elektrike mbi lumin Dniepër për ujitjen e rajoneve jugore të Ukrainës, përfshi Krimenë.

"Meqënëse lumi Dniepër dhe diga hidro-elektrike ishte në territorin e Ukrainës, u mendua që të transferohej dhe pjesa tjetër e territorit të Krimesë nën mbikëqyrjen e Ukrainës, në mënyrë që ata të ishin përgjegjës për çdo gjë. Dhe kështu vepruan. Kjo nuk ishte një lëvizje politike, nuk ishte një lëvizje ideologjike, ishte vetëm biznes."

Zoti Hrushov thotë se ishte diçka e arsyeshme që të kishte vetëm një njësi territoriale përgjegjëse për ndërtimin e një projekti kaq të madh.

"Tani ka zëra që thonë se babai im donte të kënaqte demokracinë e Ukrainës apo që ai madje e bëri si dhuratë për gruan e tij, nënën time, sepse ajo ishte ukrainase, por të gjitha këto nuk kanë aspak lidhje me realitetin. Ajo ishte vetëm një çështje ekonomike dhe jo politike."

Krimea tani është nën kontrollin e plotë të forcave ruse. Zyrtarët rusë thonë se ky veprim është bërë për të mbrojtur popullatën e etnisë ruse që jeton në gadishull. Por zyrtarët perëndimorë thonë se nuk ka prova se rusët atje kanë nevojë për mbrojtje. Sekretari amerikan i Shtetit John Kerry e përshkroi dislokimin e trupave si "një akt agresioni i pabesueshëm".

Tensionet midis Moskës dhe Kievit u rritën muajin e kaluar pasi presidenti pro-rus i Ukrainës Viktor Janukoviç u rrëzua nga protestues që kërkonin lidhje më të ngushta me Bashkimin Evropian. Më shumë se 80 demonstrues u vranë dhe zoti Janukoviç u largua në Rusi.

Zoti Sergei Hrushov thotë se nuk ka ngjashmëri mes asaj që po ndodh në Krime dhe luftës së vitit 2008 mes Rusisë dhe Gjeorgjisë, për dy rajonet e saj separatiste të Osetisë së Jugut dhe Abkhazisë.

"Në luftën e vitit 2008, presidenti gjeorgjian Saakashvili u përpoq të rivendoste kontrollin mbi këto dy rajone rebele duke përdorur forcën dhe duke i sulmuar, kështu që Rusia reagoi. Ajo ishte një luftë."

Tani për tani, thotë zoti Hrushov, në Krime nuk ka pasur shkrehje armësh.

"Dhe unë shpresoj që të mos ketë, sepse askush nuk është i interesuar të luftojë. Dhe ushtarët ukrainas të cilët po shërbejnë në Krime, janë vetë nga Krimea, kështu që ata nuk duan të fillojnë luftën që do të ishte kundër interesave të popullit të tyre dhe të vendit të tyre. Mendoj se dhe rusët nuk duan të luftojnë."

Sa i përket të ardhmes, zoti Sergei Hrushov thotë se kthimi i Krimesë tek Rusia nuk është një alternativë.

"Nuk mendoj se do të ndodhë. Dhe unë shpresoj që kjo të mos ndodhë. Gjithashtu nuk dëgjuar asnjëherë që Putin të thotë se dëshiron të bëjë një gjë të tillë."

Megjithatë ligjvënësit në Krime kanë planifikuar një referendum për bashkimin me Rusinë për në datë 16 Mars, një veprim që do të shkallëzojë tensionet edhe më shumë.
XS
SM
MD
LG