Lidhje

Kontributi i teleskopit të hapësirës Hubble


Teleskopi i Hapësirës Hubble ka ndryshuar rrënjësisht mënyrën se si e shohim universin. Për gati një çerek shekulli, ai ka dërguar sasi të mëdha të dhënash dhe imazhesh nga hapësira. Një ekspozitë e re në Muzeun Kombëtar Smithsonian të Ajrit dhe Hapësirës në Uashington dokumenton se suksesi i teleskopit Hubble është i liddhur ngushtë me aftësinë për ta riparuar dhe për ta mirëmbajtur atë në orbitë.

Hubble u dërgua në hapësirë në bordin e Anijes Discovery në vitin 1990 dhe imazhet e tij të para nuk ishin ashtu siç NASA i priste. Ato ishin të paqarta. Administratori i Programit të Teleskopit të Hapësirës Hubble, Douglas Broome, dha lajmin shqetësues.

"Përfundimi që kemi arritur është se ka një problem me sistemin optik të teleskopit," tha ai në një konferencë për shtyp më 27 qershor 1990.

Problemi ishte tek pasqyra primare e teleskopit Hubble, e cila ishte bërë më e sheshtë se sa duhej me një trashësi prej vetëm sa 1/50 e një fije floku.

Astronautët e anijes e zëvendësuan atë me aparatin WFPC2 (Whiff Pick Two) dhe me një instrument me lente korrigjuese të quajtur COSTAR. Riparim vërtetoi se astronautët e anijeve të hapësirës mund të kryenin operacione shumë të vështira dhe shumë të ndërlikuara, thotë përgjegjësi i Muzeut Kombëtar të Ajrit dhe Hapësirës David Devorkin.

"I gjithë synimi i të jetuarit dhe të punuarit në hapësirë është të bësh gjëra të dobishme dhe kjo ishte pa dyshim diçka e dobishme. Nga ana astronomike, por edhe nga ana teknike, teleskopi Hubble tregon se sa shpejt teleskopët po përmirësohen. Ai u riparua vetëm një herë, por është modernizuar katër herë."

Pajisjet COSTAR dhe WFPC2 (Whiff Pick Two) u zëvendësuan në vitin 2009 dhe tani janë të ekspozuara në muze. Imazhet e teleskopit Hubble janë bërë më cilësore dhe më të qarta me kalimin e kohës. Të dhënat prej tij kanë lejuar astronomët të shohim 14 miliardë vjet në të shkuarën, në fillimet e universit. Ata mund të shohin dhe se si universi është duke u zgjeruar.

Zoti Devorkin thotë se teleskopi i fuqishëm i hapësirës solli përparime të tjera të rëndësishme:

"Për shembull, të kuptuarit e zonave të formimit të yjeve, pra se si yjet formohen nga gazi dhe pluhuri. Tani aftësia e Hubble-it për të parë thellë brenda rrezeve infra të kuqe, shumë më thellë se më parë, na ka treguar proceset brenda këtyre reve ndëryjore që krijojnë yjet dhe komunikimin e tyre me errësirën dhe gazin përreth."

Ndërsa teleskopi i famshëm i afrohet fundit të udhëtimit të tij në hapësirë​, zoti Devorkin thotë se ai ka bërë të mundur zëvendësimin e tij të pritshëm. Teleskopi i Hapësirës James Webb, që pritet të niset në vitin 2018, do të mund të shohë edhe më thellë në spektrin e dritës me një pasqyrë kryesore pesë herë më të madhe se Hubble.

"Teleskopi James Webb është i optimizuar për rrezet infra të kuqe sepse të gjitha informacionet e mahnitshme rreth formimit të galaktikës, formimit të yjeve dhe gjëra të tilla që astronomët duan të dinë gjenden tek këto rreze."

Për momentin, Hubble mbetet një mjet i vyer pune për astronomët dhe vazhdon të kënaqë publikun me imazhe mahnitëse.

XS
SM
MD
LG