Lidhje

Mbyllja e kufijve të Hungarisë


Autostrada kryesore që lidh Serbinë me Hungarinë u shndërrua brenda natës në një barrierë të fortifikuar.

Për refugjatët dhe emigrantët që nuk arritën dot brenda afatit të mesnatës, shtegtimi përfundon këtu. Të braktisur në Serbi dhe të pasigurtë se ku të shkojnë dhe çfarë të bëjnë. Shumica thonë se do të vazhdojnë protestën.

“Është jo humane. Unë do të pres gjithë jetën time.”

Ndërkohë që shtohej numri i njerëzve, po kështu rritej edhe tensioni. Etërit ngrinin fëmijët mbi gardhin me tela me gjemba në shenjë proteste të heshtur. Thirrje zemërate për mungesën e ujit dhe ushqimit dhe për t’i lënë të kalojnë.

Kritikët e Hungarisë e quajnë këtë “Evropa fortesë” – një gardh që nuk ka vend në shekullin e 21-të. Por, Hungaria thotë se vetëm po zbaton ligjet e BE-së.

Udhëheqësi i opozitës dhe ish-kryeministri hungarez Ferenc Gyurcsany erdhi që ta shikojë kaosin vetë.

“Është mizori. Është kaq jo humane sa është e pabesueshme. Ndërkohë që po rritet masa e njerëzve, po kështu po rritet edhe tensioni. Nuk dihet për sa kohë mund të vazhdohet kështu.”

Për qindra sirianë kjo ishte vetëm stepja më e fundit në udhëtimin e tyre larg luftës. Shumë të tjerë shpresojnë të kërkojnë azil në BE.​

“Talibanët po bëjnë luftë në vendin tim me ushtrinë pakistaneze.”

Hungaria thotë se aplikime të ligjshme për azil do të proçedohen në pikat zyrtare të kalimit kufitar, si në Roszke. Por, një ligjvënëse hungareze i tha Zërit të Amerikës se kishte parë parregullsi në ato pak aplikime të pranuara deri më tani.

“Në aplikimet për azil, në pjesën ku përcaktohet mënyra e kalimit të kufirit, kanë shkruar ‘ilegalisht’. Dhe zyrtarët i detyrojnë azilkërkuesit të nënshkruajnë. Është diçka e tmerrshme.”

Ndërkohë që shtohet zemërimi, ekziston frika se mund të shndërrohet në situatë të dhunshme. Më shumë emigrantë mbërrijnë çdo orë, duke iu larguar luftës dhe varfërisë, tashmë të ndaluar në Evropë nga një gardh me tela me gjemba.

XS
SM
MD
LG