Lidhje

Numër rekord imigrantësh hyjnë në Hungari


Policia në Hungari njoftoi sot se një numër rekord imigrantësh ka hyrë në vend, ndërsa agjencia e OKB-së për refugjatët tha se vlerëson që mijëra të tjerë pritet të bëjnë të njëjtën gjë.

Hungaria ka registruar mbi 100 mijë imigrantë këtë vit, më shumë se dyfishi i numrit të vitit të kaluar. Autoritetet thanë se afro 2 mijë e 100 kaluan kufirin të hënën, numri më i madh në një ditë të vetme.

Hungaria po punon me nxitim për të përfunduar ndërtimin e një gardhi në kufi, për të mos lejuar hyrjen e imigrantëve që përshkojnë Serbinë për të hyrë në një vend anëtar të Bashkimit European.

Mijëra imigrantë, kryesisht nga Siria, Iraku dhe Afganistani po ndjekin të njëjtën rrugë pasi përshkojnë Mesdheun për të mbërritur në Greqi. Policia në Maqedoni fillimisht nuk i lejoi ata që të kalojnë në atë vend, por pas përleshjeve të premten dhe të shtunën, refugjatët arritën të kalojnë për në Serbi.

UNHCR-ja tha sot se parashikon që 3 mijë vetë më shumë në ditë do të kalojnë nga Greqia në Maqedoni në ditët e ardhshme.

Agjencia theksoi nevojën për trajtim njerëzor dhe tha se gjendja në Evropë nuk do të ndryshojë përsa kohë nuk ndryshojnë kushtet në Siri dhe Irak.

Ndërkohë Francois Crepeau, raportuesi i posaçëm i OKB-së për të drejtat e emigrantëve tha sot se Evropa po dështon në reagimin e saj dhe i duhet një politikë e re emigracioni.

“Ndërtimi i gardheve, përdorimi i gazit lotsjellës dhe formave të tjera të dhunës kundër imigrantëve dhe azilkërkuesve, ndalimi, mohimi i qasjes tek shërbimet bazë si strehimi, ushqimi ose uji dhe përdorimi i gjuhës kërcënuese ose të urrejtjes nuk do të frenojë ardhjen apo përpjekjet e emigrantëve për të hyrë në Evropë”.

Zoti Crepeau tha se Evropës i duhet të zbatojë një program për sistemimin e refugjatëve si ata që kanë ikur nga Siria dhe Eritrea, duke thënë se një program i tillë jo vetëm do të ndihmonte vendet të përgatiten për ata refugjatë që do t’i lejojnë të hyjnë, por edhe do të godiste trafikantët që aktualisht transportojnë njerëz nëpër rrugë të rrezikshme për në Evropë.

Organizata Ndërkombëtare e Migrimit thotë se mbi 250 mijë imigrantë kanë hyrë nga deti në Evropë këtë vit, duke zbritur kryesisht në Itali dhe Greqi. Afro 2 mijë e 400 vetë kanë gjetur vdekjen gjatë udhëtimit.

XS
SM
MD
LG