Lidhje

Hagë: Karaxhiç ankohet për dënimin


Ish udhëheqësi i serbëve të Bosnjës, Radova Karaxhiç, kërkoi të lihet i lirë në pritje të përgjigjes për kundërshtimin e tij ndaj dënimit për gjenocid dhe mizori të tjera, ndërsa ka thënë se burgu po e shkatërron shëndetin e tij.

Gjatë një seance dëgjimore në Gjykatën Ndërkombëtare për krime lufte në hapësirat e ish Jugosllavisë, ai tha se është "i pafajshëm" ndërsa e quajti vendimin si "monstruoz".

Ai u ankua për kushtet në paraburgim dhe kërkoi një kompjuter të ri për të përgatitur mbrojtjen e tij.

Gjykatësi, Theodor Meron, hodhi poshtë kërkesën e tij për lirim dhe tha se do të urdhërojë zyrtarët që të shqyrtojnë kushtet në qendrën e paraburgimit.

Muajin e kaluar, Radova Karaxhiç, u shpall fajtor dhe u dënua me 40 vjet heqje lirie nën akuzat për mizori të kryera gjatë luftës së Bosnjës që la pas vetes 100 mijë të vrarë.

Gjykata tha se ai është përgjegjës për gjenocid në masakrën e Srebrenicës të vitit 1995 kur forcat serbe vranë 8 mijë burra e të rinj myslimanë të Bosnjës, në atë që është vlerësuar si mizoria më e rëndë në Evropë që nga Holokausti.

Po në Hagë, prokuroria e Gjykatës, tha se do të apelojë vendimin e muajit të kaluar për lirimin e ultra nacionalistit serb, Vojisllav Sheshel, Partia Radikale e të cilit, synon të fitojë vende në parlamentin e Serbisë në zgjedhjet që do të mbahen më 24 prill.

Kryeprokurori Serge Brammertz tha se gjykatësit kanë injoruar një numër të madh të dëshmive kur kanë liruar Sheshelin, javën e kaluar.

Vojisllav Sheshel, ishte akuzuar për nxitje të urrejtjes etnike kundër myslimanëve dhe kroatëve të Bosnjës, në vitet 90-ta.

Kryeprokurori Brammertz, tha se gjykatësit i kanë keqinterpretuar provat në atë mënyrë që “dëbimi i civilëve është cilësuar gjest humanitar” dhe se “fjalimet ndezëse janë bërë thjesht për të rritur moralin e forcave serbe”.

Vojisllav Sheshel, tha se nuk është i shqetësuar me apelin dhe aktualisht është duke marrë pjesë ne fushatën për zgjedhjet parlamentare të këtij muaji në Serbi, ku ai synon të sfidojë Partinë Përparimtare serb të drejtuar nga kryeministri aktual i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, dikur një nga bashkëpunëtorët e tij më të ngushtë.

XS
SM
MD
LG