Lidhje

SHBA, Roja Kufitare dhe reziqet nga imigrimi


Ndërkohë që emigrantët e rinj, pa dokumenta nga Amerika Qendrore vazhdojnë të vijnë në kufirin e Shteteve të Bashkuara me Meksikën, në shumicën e rasteve në përpjekje për të shpëtuar nga varfëria, krimi dhe dhuna e bandave në vendet e tyre, personeli i Rojes Kufitare amerikane është i pari që përpiqen të merren me situatën në kufi. Korrespondentët e Zërit të Amerikës Celia Mendoza dhe Ramon Taylor kohët e fundit bënë një udhëtim me anëtarët e Rojes Kufitare në Luginën Rio Grande të Teksasit. Në këtë kronikë, drejtuesit e operacioneve në terren, flasin për natyrën e punës së tyre, vështirësitë e saj, dhe rreziqet me të cilat ndeshen emigrantët në përpjekjet e tyre për të kaluar kufirin.

"Terreni dhe mjedisi janë të pafalshëm. Njerëzit me të cilët ata udhëtojnë janë të pamëshirshëm. Ata kanë mundësinë t’i shfrytëzojnë dhe të përfitojnë nga situata e këtyre njerëzve. Emigrantët mund të bien në gracka të ndryshme dhe telashe serioze. Trafikantët tërthorazi mund të ndryshojnë destinacionin përfundimtar të emigrantëve duke i vënë ata në rrezik. Prandaj mesazhi kryesor që ne përpiqemi të dërgojmë është se megjithëse situata në vendet e tyre është e rëndë, kjo mënyrë e udhëtimit drejt Shteteve të Bashkuara është po aq e rrëzikshme, ndoshta më e rrëzikshme se sa gjendja në vendet e tyre", thotë Jason Owens i Njesisë Taktike të Rojes Kufitare në Rio Grande Valley të Teksasit.

Celia Mendoza, Zëri i Amerikës: 3000 agjentët që ndodhen këtu janë pjesë e operacioneve për ruajtjen e sigurisë. Ju përdorni edhe pajisje tekonologjike si kamerat, mund ta shpjegoni pak këtë?

"Misioni ynë kryesor është sigurimi i kufijve të Amerikës. Nuk ka rëndësi nëse bëhet fjalë për kufirin me Meksikën apo atë me Kanadanë. Roja kufitare është një entitet i zbatimit të ligjit, prandaj siguria është funksioni ynë kryesor. Ne kemi teknologjinë dhe infrastrukturën që ndihmon agjentët tanë në terren për ta bërë më mirë punën e tyre, për të mbuluar kufirin më mirë dhe me më pak njerëz. Zona përgjatë lumit këtu është një zonë strehimi. Në disa pjesë, ajo është e mbuluar me pemë dhe shkurre të dendura. Prandaj kjo zonë është e rrezikshme dhe është shumë lehtë të humbasësh rrugën", thotë Jason Owens i Njesisë Taktike të Rojes Kufitare në Rio Grande Valley të Teksasit.

"Kjo është një punë e vështirë. Agjentët punojnë në këtë mjedis, dhe në këtë terren. Edhe emigrantët kalojnë nëpër këtë terren. Shumicën e kohës agjentët e kalojnë jashtë makinave. Ata i parkojnë makinat dhe patrullojnë në këmbë për periudha të gjata kohore gjatë ditës. Ata shpesh ndryshojnë rolet e tyre nga agjent të zbatimit të ligjit në njerëz që ofrojnë ndihmë humanitare. Kjo është një nga aspektet më sfiduese të punës", thotë Peter Bidegain, zëdhënës i Rojes Kufitare amerikane.

"Dënimet ndaj atyre që merren me trafikimin e narkotikëve zakonisht janë më ashpra në krahasim me dënimet e atyre që merren me trafikimin e qenieve njerëzore. Në shoqërinë tonë, trafikimi i narkotikëve cilësohet si një vepër më e rëndë, kartelat e drogës e kanë kuptuar se ata përballen me më pak rrezik nga ndjekja penale, apo dënimet e rënda, dhe mund të përfitojnë më shumë para nëse merren me trafikimin e njerzve në vend të trafikimit të narkotikëve", thotë Jason Owens i Njesisë Taktike të Rojes Kufitare në Rio Grande Valley të Teksasit.

XS
SM
MD
LG