Lidhje

Intervistë me zotin Luan Rama


Këto ditë ndodhet për vizitë në Shtetet e Bashkuara, Sekretari i Përgjithshëm i Lëvizjes Socialiste për integrim, Luan Rama i cili ishte i ftuar për intervistë në studion e Ditarit.
Intervistë me Luan Ramën.
please wait

No media source currently available

0:00 0:10:20 0:00

VOA: Le të fillojmë me ngjarjen e avionit që u rrëzua në Divjakë. Ka ndezur tensione të larta politike në vend midis qeverisë dhe opozitës. A mendoni se në qoftë se ky komunikim i detajuar siç e dëgjuam tani, do të ishte bërë më përpara, do të ishin shmangur disa nga këto konfrontime dhe debate politike?

Luan Rama: Për fat të keq, jo vetëm çështja e avionit për të cilin ju folët, por përgjithësisht mjaftojnë vetëm pak gjëra që në Shqipëri të ndizet debati midis maxhorancës dhe opozitës, çka dëshmon në thelb që ende nuk kemi arritur maturimin për të zhvilluar debat parimor dhe të fokusuar tek thelbi i çështjeve apo thelbi i problemit, siç është edhe kjo që ka të bëjë me trafikun e drogës apo trafiqet e paligjshme në përgjithësi si fenomene kriminale. Kështu që gjykoj, dhe ajo për të cilën ka nevojë publiku, për të cilën kanë nevojë qytetarët, nuk është vizatimi apo përshkrimi se nga kaloi apo si kaloi avioni dhe që pasi ra avioni u gjend një gomë e shkëputur. Sepse këto janë edhe në aspektin profesional si gazetar, por edhe në aspektin e të shikuarit të çështjes nga pozita e një vëzhguesi të vëmendshëm, detaje që publiku i di dhe që nuk kanë rëndësi. Ajo çfarë është e rëndësishme dhe që tashmë është në dorë të organeve të prokurorisë në dorë të organit të akuzës, është që palët të ndihmojnë institucionin e akuzës, të hetojë me imtësi, të hetojë me paanshmëri dhe me profesionalizëm gjithçka lidhet me rastin në fjalë ose gjithçka lidhet më tej me të gjithë fenomenin e trafikut të lëndëve narkotike.

Më lejoni të shpjegoj që trafiku i lëndëve narkotike nuk është një problem i shfaqur rishtazi në Shqipëri. Ai është një fenomen që vazhdon prej kohësh, mjafton t’i referohemi raporteve të Departamentit Amerikan të Shtetit apo dhe raporteve të tjera të njësive të specializuara që veprojnë apo janë në terren për të kuptuar që kemi të bëjmë me një fenomen shqetësues dhe problematik për situatën në Shqipëri. Dhe energjitë duhen fokusuar këtu. Çfarë duhet të bëjmë, dhe si duhet të ndihmojmë të gjithë që ky fenomen të luftohet me efiçencë dhe që organet ligjzbatuese të veprojnë gjithashtu me eficiencë. Kështu që nga kjo pikëpamje gjykoj që nuk ka shumë vend për përshkrime, për hartime apo për qëndrime emocionale ndaj rastit në fjalë. Ka vend dhe është jetike të veprohet me forcën e ligjit dhje me profesionalizëm për ta zbardhur se si qëndron e vërteta.

VOA: Faktikisht qëndrimet emocionale, vetëm duke i parë nga larg, i kanë karakterizuar deklaratat politike nga të dyja anët këto ditet e fundit dhe fakti është që nëse do të kishte informacion, ndoshta ai do të zinte pak vakuumin që është krijuar nga këto deklarata politike dhe opozita dhe kryeministri, qeveria kanë shkëmbyer akuza për këtë çështje. Ju përmendët që ky është një problem që ka qenë më parë, por e vërteta është se qeveria e re ka tashmë rreth nëntë muaj, kështu që a nuk do të ishte më mirë që secila nga palët, në këtë rast qeveria të fokusohej pikërisht te lufta ndaj këtij fenomeni dhe për më shumë transparencë se në deklaratat?

Luan Rama:
Nuk dua ta adresoj problemi nga njëra qeveri në tjetrën. Kur thashë që është një fenomen që vjen prej vitesh kjo lidhet me gjithë situatën në Shqipëri nga njëra anë. Nga ana tjetër ajo që duhet të bëjë qeveria, dhe unë këtë gjë e kam thënë edhe më parë edhe në Kuvendin e Shqipërisë dhe kudo ku më është dhënë rasti, duhet të ridimensionojë prioritetet dhe të fokusohet më mirë tek strukturat ligjzbatuese, tek fenomenet kriminale që janë shqetësuese dhe problematike për vendin. Natyrisht çështjet e rendit dhe të sigurisë publike në Shqipëri janë komplekse, nuk janë vetëm çështje policore gjithashtu. Por e quaj të pavend jo se është më pak i rëndësishëm administrimi i trafikut rrugor për shembull, të fokusohesh maksimalisht me të gjitha strukturat e policisë tek ky element i shërbimit policor, ndërkohë që prioriteti i fenomenit kriminal sot në Shqipëri janë trafiqet e paligjshme, trafiqet e lëndëve narkotike apo krimi i organizuar. Kjo do të thotë që kërkohet një ripozicionim më i mirë edhe i strukturave, por edhe një rivlerësim dhe një rikonfigurim më i mirë i prioriteteve të punës.

Ashtu sikundër më lejoni ta them gjithashtu këtu, sepse më është dashur gjatë takimeve në Uashington të jap shpjegime edhe për të informuar lidhur me këto zhvillime në Shqipëri, që është e papranueshme në vlerësimin tim që megjithëse qeveria ka gati 9 muaj që ka filluar punën, Shërbimi Informativ vazhdon të punojë me prioritete të miratuara nga qeveria e mëparshme, nga kryeministri i mëparshëm që në janar të vitit 2013. Inkoherenca në veprime, inkoherenca në koordinimin e veprimin natyrisht që krijon pastaj edhe vakume apo hapësira të tilla. Prandaj po them që është e rëndësishme, edhe opozita e cila e ka kthyer në kazus këtë çështje të jetë bashkëpunuese dhe kontributore që gjithçka ta fokusojë në ndihmë të organit të akuzës, në ndihmë të prokurorisë dhe të heqim dorë përfundimisht nga shfaqja e vjetër e politikës shqiptare, ku bëhet edhe prokurori edhe gjykatësi, edhe hetuesi apo edhe avokati nga ato që janë të zgjedhur dhe të votuar nga ata që bëjnë politikë.

VOA: Le të mbetemi pak të situata e tensionuar politike. Shumica dhe presidenti janë mbërthyer gjithashtu në disa debate dhe pjesë e tyre keni qenë edhe ju pak a shumë sa i takon reformës në ushtri dhe disa debate të tjera. Presidenti Nishani ka thënë se po bëhen përpjekje për t’i hequr atij kompetencat si Komandant i Përgjithshëm. A mendoni që janë frytdhënëse debate të tilla dhe a janë të denja për një vend që është anëtar i NATO-s?

Luan Rama: E para, që është e rëndësishme të theksoj lidhet me domosdoshmërinë e kryerjes së disa reformave që janë jetike për fatet e vendit. Jetike për vetë zhvillimin e shoqërisë shqiptare, por të tillë edhe për të plotësuar kushtet që Shqipëria ka në kuadër të procesit të anëtarësimit në Bashkimin Evropian. Kësisoj, reforma në sistemin e drejtësisë, reforma administrative-territoriale, reforma në institucionet e sigurisë dhe gjithçka lidhet me perfomancën e institucioneve të shtetit, nuk është çështje vullnetesh individuale. Ato janë targete, detyrime që duhen përmbushur dhe për rrjedhojë palët vetëm duhet të bashkëpunojnë me njëri-tjetrin.

Ndërsa, lidhur asaj çfarë ju thoni konkretisht me lejoni të shpjegoj që të ndaj me ju opinionin tim dhe vlerësimin që gjeta edhe në kontaktet që pata në Departamentin Amerikan të Shtetit për domosdoshmërinë e kryerjes së reformave në institucionet e sigurisë në konsultë dhe në partneritet të plotë me NATO-n, pasi Shqipëria është anëtare e NATO-s dhe nuk mund të sillet ndryshe përveçse si anëtare e NATO-s edhe kur merr nisma ligjore për të reformuar institucionet e sigurisë dhe natyrisht në partneritet të plotë edhe me SHBA-të për shkak të konstantes së pandryshueshme që mbi bazën e të cilës janë ndryshuar marrëdhëniet tona, pasi SHBA-të janë dhe mbeten partneri ynë strategjik dhe vital do të thoja. Kështu që debati paraprak i paragjykuar nuk e ndihmon mbërritjen në cakun e reformës së duhur.

Ajo çfarë duhet bërë është bashkëveprimi midis institucioneve, shkëmbimi i kontributeve pozitive nga Presidenca nga Qeveria, nga Ministria e Mbrojtjes, nga Kuvendi gjithashtu, sepse drafti i këtyre ndryshimeve nuk ka mbërritur në Kuvend, me qëllim që të shkojmë tek strukturimi i duhur, pasi është absurde në vlerësimin tim, që Shqipëria megjithëse ka vite që është anëtare e NATO-s ende nuk ka arritur të miratojë strategjinë e sigurisë kombëtare në përputhje me kushtet duke qenë anëtare e NATO-s. Pra, reforma në strukturat e Ministrisë së Mbrojtjes apo në strukturat e sigurisë është shumë më e gjerë se kaq. Kështu që edhe Presidenti si Komandat i Përgjithshëm ka detyrimet e veta, Qeveria gjithashtu, Kryeministri, Ministria e Mbrojtjes dhe Kuvendi. Unë kam qenë Ministër i Mbrojtjes kur janë hartuar dhe miratuar një pjesë e këtyre ligjeve dhe është e rëndësishme të respektohet me rigorozitet parimi i njohur “check and balance” në harmonizimin e autoriteteve dhe në ushtrimin e autoriteteve kushtetuese të institucioneve.
XS
SM
MD
LG