Lidhje

Bushati: Ballkani në BE, më shumë siguri dhe burime të diversifikuara


Sot në Berlin u zhvillua një konferencë për Ballkanin. Zëri i Amerikës zhvilloi një bisedë të drejtpërdrejtë nga Berlini me Ministrin e Jashtëm të Shqipërisë Ditmir Bushati, për t’u njohur me nismat që propozoi Shqipëria dhe si u pritën ato në konferencë:

Zëri i Amerikës: Zoti Bushati, fillimisht desha t’ju pyes lidhur me pritshmëritë që ka pasur Shqipëria për këtë konferencë. Shpresa ishte për një afrim më të madh mes Bashkimit Evropian dhe Shqipërisë. Cili është mendimi juaj? A është realizuar ky synim?

Ministri i Jashtëm Bushati mbi konferencën në Berlin
please wait

No media source currently available

0:00 0:07:08 0:00

Ditmir Bushati: Në fakt, shpresa kryesore ka qenë për të rindërtuar dhe ristrukturuar një proçes të afrimit të Ballkanit Perëndimor me Bashkimin Evropian, nën patronazhin gjerman, për shkak se edhe iniciativa është e Gjermanisë. Shqipëria, si një aktor kryesor në rajon për shkak edhe të faktit që mban Presidencën e radhës të Proçesit të Vendeve të Evropës Juglindore, erdhi në këtë konferencë me një paketë programatike ku përcaktohen apo parashikohen disa prej rrugëve se si ne mendojmë që ky proçes ristrukturimi dhe afrimi në terma politikë dhe ekonomikë do duhet të ndodhë në vitet e ardhshme. Pra, jemi këtu për të definuar së bashku me vende të tjera pjesëmarrëse të Ballkanit Perëndimor dhe me Bashkimin Evropian rrugëtimin tonë në vitet e ardhshme.

Zëri i Amerikës: Shqipëria paraqiti një dokument me projekte zhvillimi për rajonin, të cilat kërkojnë mbështetje financiare nga Bashkimi Evropian. A u mor sot ndonjë angazhim se të paktën këto propozime do të shqyrtohen nga vendet anëtare?

Ditmir Bushati: Natyrisht që paketa e propozimeve tona programatike është një paketë jashtëzakonisht ambicioze sepse para të gjithash synon aplikimin e instrumenteve financiarë, që sot janë në dispozicion vetëm të vendeve anëtare, edhe për vendet kandidate apo për vendet aspirante. Por, me kënaqësi mund të konstatojmë që dokumenti final i miratuar nga konferenca hap rrugën për një gjykim më të thelluar të të gjitha projekteve që janë paraqitur në këtë dokument, projekte të cilat në analizë të fundit synojnë afrimin fizik të rajonit me Bashkimin Evropian. Dhe kur flas për afrim fizik, e kam fjalën në mënyrë më specifike për projektet e infrastrukturës, projektet e energjisë, projektet e turizmit, të cilat do ta transformonin këtë rajon në një kuptim të mirë të fjalës, në një rajon ekonomik, çka nuk është sot për sot.

Zëri i Amerikës: Duke pasur parasysh edhe zhvillimet e fundit në Evropë, pra shqetësimet e Bashkimit Evropian lidhur me problemet e krizës mes Ukrainës dhe Rusisë, por edhe problemet financiare, a mendoni se kjo konferencë, ose nismë, do të shërbejë si shtysë për një vëmendje më të madhe ndaj Ballkanit tashmë e tutje?

Ditmir Bushati: Pikërisht fakti që Bashkimi Evropian po përballet me krizë në kufirin lindor, sidomos në situatën në Ukrainë, por edhe vështirësitë e panumërta në Lindjen e Mesme dhe të gjitha pasojat negative që sjell destabilizimi i Lindjes së Mesme për Evropën dhe për kufijtë jugorë, besojmë se është një vlerë, le të themi e shtuar, për të shikuar proçesin e afrimit të vendeve të Ballkanit Perëndimor edhe në një kontekst më të fortë gjeopolitik dhe gjeoekonomik. Dhe, projektet e paraqitura dhe ajo çka u diskutua sot në Berlin, janë një sinjal në këtë drejtim.

Zëri i Amerikës: Zoti Bushati, vazhdimisht flitet për atë që do të përfitojë Shqipëria dhe vendet e tjera të Ballkanit duke u integruar. Por duke patur parasysh edhe sfidat për të cilat fola pak më parë, çfarë mund të ofrojnë vendet e Ballkanit në lidhje me marrëdhëniet me Bashkimin Evropian?

Ditmir Bushati: Ju me të drejtë thatë që flitet, por në fakt kjo është vetëm gjysma e asaj që duket, sepse ky është një proçes i cili ka dy anë. Në një anë janë vendet e Ballkanit që përfitojnë nga proçesi i modernizimit dhe transformimit, por nga ana tjetër janë edhe vendet e Bashkimit Evropian. Me një Ballkan brenda Bashkimit Evropian, ne do të kishim një perimetër evropian në kuptimin gjeografik, gjeo-ekonomik dhe gjeo-politik më të sigurt. Do të kishim një Evropë me burime energjitike më të diversifikuara. Do të kishim një treg evropian edhe më të madh dhe do të kishim një influencë të karakterit politik edhe më të madh. Le të mos harrojmë që kriza në Ukrainë risolli në vëmendje fraxhilitetin edhe të asaj që konsiderohet oborri, në kuptimin gjeografik të fjalës, të Bashkimit Evropian; kategorizimin e vendeve të ndryshme të cilat edhe në Ballkan, jo të gjitha, njësuan qëndrimet e tyre me Bashkimin Evropian. Prandaj është e rëndësishme që ky proçes të shihet në një kontekst më të gjerë gjeopolitik, se sa thjesht në kuadër të përfitimeve reciproke që mund të ketë si Bashkimi Evropian, ashtu edhe vendet e Ballkanit Perëndimor.

Zëri i Amerikës: Dhe së fundmi, a pati konkretisht ndonjë premtim për ndihmë apo për hapat e mëtejshme të lidhjes së vendeve të Ballkanit me Bashkimin Evropian?

Ditmir Bushati: Besoj se premtimi më konkret është sigurimi i një procesi. Sigurimi i procesit do të thotë që vitin tjetër, Austria do ta kryesojë këtë iniciativë dhe nga ky moment deri në vitin tjetër të gjitha elementet të cilat janë trupëzuar në deklaratën finale të konferencës do të duhet të zbatohen, do të duhet të vihen në jetë, në radhë të parë nga ne, vendet e Ballkanit Perëndimor duke vazhduar proçesin e reformave në qeverisjen ekonomike, në sundimin e së drejtës; dhe, në radhë të dytë nga vetë vendet e Bashkimit Evropian për të filluar gradualisht për të aplikuar instrumentet financiarë të cilat janë momentalisht të vlefshme vetëm për vendet anëtare, sepse është jashtëzakonisht e rëndësishme që të ngushtohet hendeku ekonomik që ekziston ndërmjet vendeve anëtare dhe vendeve të Ballkanit Perëndimor. Duket qartë që ka një kuptueshmëri gjithnjë e më të madhe për rrethanat specifike, historike, politike dhe gjeografike të këtij rajoni, në raport me proçeset e zgjerimit të mëparshëm që Bashkimi Evropian ka njohur ndër vite që nga themelimi i tij.

XS
SM
MD
LG