Lidhje

Sulm me bombë dhe armë ndaj një xhamie në Irak


Në Irak, militantët shpërthyen një bombë dhe më pas hapën zjarr ndaj një xhamie suni në verilindje të Bagdadit, duke vrarë dhjetëra njerëz që merrnin pjesë në lutjen e së premtes.

Sulmi, në të cilin u vranë të paktën 60 njerëz, mund t'i ndërlikojë përpjekjet e qeverisë së shumicës shiite të Irakut, për të ngushtuar përçarjet sektare, që po bëhen gjithnjë e më të përgjakshme.

Dëshmitarë okularë dhe zyrtarët Suni akuzuan pjesëtarët e një ushtrisë radikale shiite për ngjarjen. Disa komandantë ushtarakë të qeverisë, megjithatë, po ua hedhin fajin militantëve të shtetit islamik, ISIS.

Kryeministri i emëruar irakian, Haider al-Abadi është duke u përpjekur për të bashkuar popullatat suni, shiite dhe kurde për t'u përballur me militantët e shtetit islamik, të cilët kanë marrë kontrollin e territoreve të gjera të vendit.

ISIS ka kapur territore që shtrihen nga Siria lindore në Irakun veriperëndimor dhe ka fituar mbështetjen e sunive të margjinalizuar, duke përfshirë ish-zyrtarë ushtarakë irakianë. Gjithashtu, ata po rekrutojnë në mënyrë aktive njerëz nga e gjithë bota.

Sipas një zyrtari amerikan, në Siri ka rreth 12 mijë luftëtarë të huaj, prej tyre më shumë se njëmijë mendohet të jenë nga vendet perëndimore. Rreth 100 besohet të jenë amerikanë.

XS
SM
MD
LG