Lidhje

Irani pas heqjes së sanksioneve bërthamore


Kreu i bankës qendrore të Iranit tha sot se vendi ka tani akses tek 32 miliardë dollarë fonde, si rezultat i heqjes së sanksioneve ndërkombëtare lidhur me programin bërthamor.

Media shtetërore citon Valiollah Seif, sipas të cilit banka ka transferuar me sukses asete mes bankave për të provuar që fondet nuk janë më të ngrira.

Sanksionet perëndimore u vunë në zbatim për t’i bërë presion Iranit, ndërkohë që dyshohej se Teherani po përpiqej të prodhonte armë bërthamore. Ato u hoqën pasi Irani reduktoi ndjeshëm programin bërthamor.

Të shtunën Kombet e Bashkuara certifikuan se Irani kishte përmbushur detyrimet, përfshirë reduktimin e numrit të centrifugave në objektet bërthamore dhe pakësimin e uraniumit të magazinuar.

Ndërkaq, administrata amerikane vuri të dielën sanksione të reja lidhur me programin iranian të raketave balistike. Sanksionet u vunë kundër pesë shtetasve iranianë dhe një rrjeti kompanish që kanë lidhje me aktivitetin e ndaluar balistik.

Ministri iranian i Mbrojtjes Hossein Dehqan tha dje se sanksionet e reja amerikane lidhur me programin balistik nuk do të ndikojnë tek aftësia e Iranit për të prodhuar raketa balistike.

Ministri Dehqan tha se sanksionet tregojnë që Shtetet e Bashkuara mbajnë qëndrim armiqësor ndaj Iranit dhe ai u zotua të bëjë të ditura përparime të reja balistike së shpejti.

Zëdhënësi i ministrisë së jashtme iraniane Hossein Jaber Ansari i cilësoi si të paligjshme sanksionet e reja.

Irani u vu në qendër të kritikave nga Perëndimi për dy prova me raketa balistike vitin e kaluar, të cilat shkelin rezoluta të Këshillit të Sigurimit të OKB-së. Irani mbron të drejtën për prova si çështje e sigurisë kombëtare.

Presidenti Obama është zotuar se Shtetet e Bashkuara do të përgjigjen fuqishëm ndaj këtij aktiviteti balistik të Iranit.

XS
SM
MD
LG