Lidhje

Konflikti në Irak dhe faktori kurd


Qeveria e Irakut thotë se po dërgon 4 mijë vullnetarë për të forcuar kontrollin e qeverisë në Ramadi, kryeqyteti i provincës Anbar. Kjo masë merret një ditë pasi luftëtarët kurdë morën kontrollin e disa fushave strategjike të naftës pranë qytetit Kikrkuk, nën kontrollin e kurdëve.

Televizioni i qeverisë irakiane njoftoi se 4 mijë vullnetarët po dërgoheshun me avionë në Ramadi nga rajonet kryesisht shiite të Karbalës, Bagdadit, Naxhafit and Basrës.

Komandanti ushtarak i provincës së Anbarit, Gjenerali Rashid Flayeh la të kuptohet se rreth 2 mijë e 500 vullnetarë u dërguan me helikopterë të premten dhe se pjesa tjetër do dërgohej të shtunën. Forcat qeveritare aktualisht kontrollojnë Ramadin, megjithëse kryengritësit suni kanë kontrollin e qytetit Faluxha, të Anbarit, 25 kilometra larg Baghdadit.

Një zëdhënës i klerikut të lartë shiit, Ayatollahut të Madh Ali al-Sistani, i bëri thirrje vullnetarëve dhe forcave të rregullta qeveritare, të respektojnë të drejtat e qytetarëve irakianë në rajonet ku ata luftojnë.

Sheiku Abdul Mehdi al-Karbalai e bëri këtë kërkesë në një predikim të premten:

Ai thotë se po i bën thirrje vullnetarëve dhe ushtarëve që mbrojnë vendin e tyre, të respektojnë të drejtat e të gjithë shtetasve irakianë dhe të mos i shkelin këto të drejta, cilitdo grupi sektar, etnik apo politik që ata i përkasin.

Ayatollah Sistani i bëri thirrje javën e kaluar vullnetarëve ta mbrojnë Irakun nga militantët suni. Ditët e fundit ka patur njoftime për akte të dhunës sektare si nga militantët suni, edhe nga forcat qeveritare kryesisht shiite.

Forcat qeveritare, kryesisht shiite, janë nën presionin e militantëve suni, si dhe të luftëtarëve kurdë, të cilët të premten morën kontrollin nga forcat qeveritare të dy fushave të rëndësishme me naftë në qytetin e debatuar të Kirkukut. Vetë luftëtarët kurdë morën muajin e kaluar kontrollin e Kirkukut nga forcat qeveritare.

Udhëheqësit kurdë kanë qenë në konflikt me qeverinë e kryeministrit Nouri al-Maliki lidhur me të ardhurat nga nafta, që nga fundi i vitit të kaluar. Falah Mustafa Bakir, i cili kryeson Departamentin e Marrëdhënieve me Jashtë të Qeverisë Rajonale të Kurdistanit, kritikon qeverinë e zotit Maliki dhe mbron kurdët për marrjen e kontrollit të fushave të naftës:

"Fatkeqësisht, që nga fillimi i luftimeve këtë vit, kryeministri Maliki ka pakësuar në mënyrë të njëanshme dhe të paligjshme buxhetin e rajonit të Kurdistanit dhe nuk u ka paguar rrogat nëpunësve civilë. Ne jemi të detyruar të marrim masa, me qëllim që t'u ofrojmë shërbime dhe t'u paguajmë rrogat njerëzve."

Turqia fqinjë ka rënë dakord ta lejojë Kurdistanin ta transportojë naftën përmes Kirkukut për në tubacionin Ceyhan në territorin e vet. Nuk është e qartë, megjithatë se si do të reagojë në fund Ankaraja, në se Kurdistani vazhdon me përpjekjet për pavarësi nga Bagdadi.

Studjuesi i Lindjes së Mesme Gary Sick i Universitetit Columbia i tha Zërit të Amerikës se Kurdistani kushtëzohet nga fqinjët e vet më të fuqishëm, të cilët nuk duket se do ta mbështetin pavarësinë e tij:

"Problemi i madh me Kurdistanin është se ai rrethohet nga një grup vendesh që nuk kanë interes në pavarësinë e tij. Prandaj, ata janë të izoluar ekonomikisht. Ata kanë vetëm mundësinë e nxjerrjes së naftës nga fushat në veri të vendit. Këtë ata mund ta bëjnë vetëm nëpërmjet Turqisë, që do të thotë se Ankaraja mund t'i diktojë ata sipas dëshirës."

Studjuesi Sick thotë se për mundësinë e pavarësisë së Kurdistnit shqetësohet edhe Irani, për shkak të popullsisës kurde që jeton atje. Irani, thotë ai, mund të vendosë që ushtrojë presion ndaj kurdëve, duke refuzuar që të lejojë kalimin e mallrave përmes kufirit.

Në zhvillime të tjrea, miltantët kurdë njoftohet se kanë luftuar edhe dje me forcat qeveritare të Irakut, në qytetin strategjik të Hadithës.

XS
SM
MD
LG