Lidhje

ISIS, ofensivë në qytetin e Kobanit


Shteti Islamik ka filluar një ofensivë të re ndaj qytetit kufitar sirian të Kobanit që është nën kontrollin e kurdëve, një nga tre sulmet madhore në vend sot.

Herët në mëngjes në pikëkalimin kufitar të Kobanit me Turqinë, u krye një sulm vetëvrasës me bombë, sipas Vëzhguesit Sirian për të Drejtat e Njeriut që thotë se dhjetra vetë humbën jetën ose u plagosën në luftime.

Organizata me qendër në Britani tha më pas se luftëtarët e Shtetit Islamik ekzekutuan të paktën 20 civilë kurdë, përfshirë gra dhe fëmijë në qytetin e Barkh Butanit, në jug të Kobanit.

Luftëtarët kurdë të mbështetur nga goditjet ajrore amerikane morën nën kontroll Kobanin në janar, pas muajsh luftimesh me forcat e Shtetit Islamik. Kjo u konsiderua si një fitore e rëndësishme, simbolike në luftën kundër Shtetit Islamik.

Po sot, Vëzhguesi Sirian njoftoi se forcat e Shtetit Islamik morën nën kontroll dy lagje nga forcat qeveritare në qytetin verilindor të Hasakas. Burime ushtarake siriane e kanë mohuar këtë njoftim dhe thonë se forcat qeveritare e zmbrapsën sulmin xhihadist, sipas agjencisë Reuters.

Kontrolli i Hasakas është i ndarë mes forcave kurde dhe atyre qeveritare siriane. Qyteti është sulmuar vazhdimisht nga Shteti Islamik.

Ndërkohë, një koalicion kryengritësish i njohur si Aleanca e Frontit të Jugut sulmoi pozicionet e qeverisë sot në qytetin jugor të Daraas, në një ofensivë që duket se do të zgjasë.

Vëzhguesi siriane njoftoi për përleshje të ashpra dhe zjarr artilerie në Daraa, ku filloi kryengritja kundër Presidentit Bashar al-Assad në vitin 2011. Agjencia zyrtare Siriane Arabe e lajmeve konfirmoi luftimet duke thënë se gjashtë vetë humbën jetën dhe 13 u plagosën.

Nuk pati njoftime të tjera të menjëherëshme për suksesin e ofensivës së Frontit Jugor që përbëhet nga 54 grupe kryengritëse dhe ka thënë prej muajsh se di të ndërmerrte një sulm të ashtuquajtur “Stuhia Jugore” në atë zonë.

Aleanca përfshin luftëtarë nga Ushtria e Lirë Sirianë që tani thuajse nuk ekziston. Ata janë stërvitur dhe armatosur nga Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e saj. Por koalicioni që përfshin edhe grupe islamike, nuk ka arritur të sigurojë mbështetje të plotë nga Perëndimi.

Luftimet në Siri kanë shkaktuar vdekjen e mbi 220 mijë vetëve që kur filloi konflikti në mars 2011.

XS
SM
MD
LG