Lidhje

Avancimi i Shtetit Islamik


Njoftimet nga Siria tregojnë se grupi ekstremist Shteti Islamik ka kapur edhe pikëkalimin e fundit në kufirin me Irakun që ndodhej në duart e qeverisë. Është një ndër avancimet më të fundit të grupit terrorist, ndërkohë që po shtohet shqetësimi për plane për një sulm kundër kryeqytetit irakian. Korrespondenti Henry Ridgwell shqyrton se si Shteti Islamik vazhdon të luftojë njëkohësisht në disa fronte, kundër forcave të koalicionit dhe të qeverisë.

Tashmë nën kontroll të plotë të qytetit sirian Palmira, luftëtarët e Shtetit Islamik po grisin banderolat dhe portretet e Presidentit Bashar al-Assad nga muret e një rafinerie nafte në rrethinat e qytetit.

Mendohet se më pas do të shkatërrojnë objektet e lashta arkeologjike të qytetit. Marrja e qytetit Palmira ishte një fitore për strategjinë në fushëbetejë të ISIS, thotë Sajjan Gohel, Drejtor për Sigurinë Ndërkombëtare në Fondacionin Azi-Paqësor.

E kuptuan me shpejtësi se mund të humbasin territor në qytete si Kobani, dhe u zhvendosën në pjesë të tjera të Irakut ose Sirisë, për të planifikuar përpjekje për të marrë qytete të tjera.

Shteti Islamik u dëbua nga Kobani në muajin janar nga forcat kurde, të mbështetura nga sulmet ajrore të koalicionit. Pati shpresa se mposhtja e tyre do të shërbente si një pikë kthese të situatës.

Por, tre muaj më pas, grupit terrorist po feston dy fitore, marrjen e Palmirës dhe Ramadit në Irak, vetëm 120 kilometra nga kryeqyteti Bagdat.

Humbja e Ramadit ishte një humbje e madhe strategjike. Dhe hapi i ardhshëm për ISIS do të jetë sulmi ndaj Bagdadit. Ndoshta nuk do ia dalin mbanë, por Perëndimi duhet ta ketë këtë gjë parasysh.

Perëndimi, i udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara, po mbështet sulmet ajrore të koalicionit kundër pozicioneve të ISIS në Irak dhe në Siri. Uashingtoni njoftoi këtë javë se po e forcon këtë strategji.

Aeroplanët tanë po kryejnë fluturime në kërkim të objektivave të ISIL-it, dhe do të vazhdojnë derisa të rimerret qyteti Ramadi.

Por, vetëm sulmet ajrore nuk do të ndalojnë avancimin e grupit terrorist, thotë Afzal Ashraf, i Institutit të Bashkuar Mbretëror.

Kanë impakt që zgjat pak. Nëse nuk e shfrytëzon këtë efekt në terren, atëherë e humbet avantazhin. Ata po mësojnë se si të shmangin sulmet ajrore.

Zoti Ashraf thotë se mungesa e një strategjie koherente do të thotë se Shteti Islamik është ende në gjendje të rekrutojë luftëtarë nga rajoni dhe më gjerë.

Çdo herë që fitojnë terren, më shumë njerëz dëshirojnë t’iu bashkohen. Sigurisht që masat e marra në Evropë dhe gjetiu për të kufizuar fluksin kanë patur një efekt. Por, ka ende shumë njerëz arrijnë t’iu bashkohen.

ISIS dallon nga grupime të mëparshme terroriste, si al-Kaida, dhe kjo është baza e aftësisë së tyre ripërtëritëse, thotë Sajjan Gohel.

Ky nuk është thjesht një grupim terrorist. Është një ndërmarrje fitimprurëse. Po vepron me efikasitet si një grupim paraushtarak. Kanë burime në terren, trupa të shumta, dhe aftësinë të financojnë aktivitetet e tyre. Pa operacione ushtarake të efektshme në terren, ata do të vazhdojnë të shtrijnë tentakulat e tyre nëpër Irak dhe Siri, dhe ç’është më shqetësuese, edhe më tej.

Që nga Pakistani deri në Nigeri, grupe terroriste kanë adoptuar emërtimin ISIS. Analistët thonë se me çdo fitore në fushëbetejë, propaganda e grupimit bëhet edhe më e fortë.

XS
SM
MD
LG