Lidhje

Strategjia e sulmeve në Paris


Militantët e Shtetit Islamik kanë deklaruar se do të godasin Shtetet e Bashkuara pasi e zgjeruan betejën e tyre rajonale përtej Sirisë dhe Irakut në mbarë Lindjen e Mesme dhe në zemër të Evropës. Por ndërsa vendet e ndryshme rrisin forcat e tyre të sigurisë dhe shtohet retorika krahas sulmeve ajrore kundër Shtetit Islamik, presidenti Barack Obama dhe analistët thonë se nuk ka të ngjarë që strategjia globale kundër ekstremistëve të ndryshojë në mënyrë të ndjeshme.

Në këtë video që Zëri i Amerikës nuk mund ta verifikojë në mënyrë të pavarur, paralajmërimi nga Shteti Islamik është i qartë:

terrori në Paris mund të vijë në Shtetet e Bashkuara.

Por presidenti Barack Obama mbrojti politikën e tij ndaj Shtetit Islamik.

“Ne kemi strategjinë e duhur, dhe do ta vazhdojmë atë.”

Kjo do të thotë më shumë sulme ajrore amerikane, më shumë ndarje informacioni dhe bashkëpunim me aleatët, por jo trupa në terren.

“Kjo nuk është vetëm pikëpamja ime, por ajo e këshilltarëve ushtarakë dhe civilë se trupat në terren do të ishin një gabim.”

Presidenti francez Francois Hollande shpalli luftë kundër ekstremistëve duke bombarduar objektivat e ISIS-it.

Por edhe pse udhëheqësit botërorë po tregojnë unitet kundër kërcënimit të Shtetit Islamik në Siri, disa analistë thonë se arritja e një konsensusi nuk do të jetë e lehtë.

“Palët kanë synime të ndryshme. Qeveria ruse kërkon të mbajë Assadin në pushtet dhe të luftojë opozitën siriane. Shtetet e Bashkuara mbështesin opozitën dhe forcat kurde të Sirisë; Turqia punon kundër forcave kurde – pra kompleksiteti këtu është i jashtëzakonshëm.”

Përparimet e fundit në terren janë të pamjaftueshme, thonë disa analistë.

“Kemi dëmtuar ISIS-in? Po. I kemi frenuar? Përgjigja është përsëri po – të paktën në përgjithësi. Por fitorja nuk është arritur ende,” thotë Anthony Cordesman (Kordsman)

Zoti Cordesman thotë se fitorja do të kërkojë një shkallë më të lartë bashkimi global kundër ekstremistëve.

XS
SM
MD
LG