Lidhje

Italia paralizohet nga greva


Qeveria italiane e qendrës së majtë është vënë në qendër të zemërimit të grevistëve, ndërkohë që mbi 80 qytete italiane janë paralizuar pas braktisjes së punës. Kjo është greva më e madhe e organizuar ndonjëherë nga dy sindikatat kryesore të vendit.

Mijëra punëtorë grevistë marshuan sot nëpër rrugët e më shumë se 50 qyteteve italiane për të protestuar kundër reformave shtetërore për të cilat thonë se u mohojnë të drejtat.

Në Romë, protestuesit u mblodhën në qendër të qytetit duke mbajtur flamuj dhe pankarta. Orët e para të mëngjesit shënuan për Romën edhe ndaljen e punës në sektorin e transportit, duke bërë që pasagjerët ta gjenin veten të bllokuar.

“Greva ka krijuar probleme për ne sepse duhet të shkojmë në universitet. Është problem po të mungojmë në shkollë. Nëse vjen autobusi do të përpiqemi të shkojmë, përndryshe do kthehemi mbrapsht”, thotë ky pasagjer.

Greva e përgjithëshme që ka pezulluar shërbimet bazë në mbarë Italinë, është e para e organizuar ndonjëherë nga dy sindikatat më të mëdha italiane kundër qeverisë së qendrës së majtë, e cila tradicionalisht ka punuar nga afër me sindikatat.

Greva e përgjithëshme tetë orëshe krijoi mundësi për kaos ndërsa transporti lokal, shkollat, portet dhe shërbime të tjera u mbyllën me orar të caktuar.

Kryeministri italian Matteo Renzi ishte objektivi kryesor i zemërimit të protestuesve. Sonia Ostrica është protestuese:

“Zgjedhjet e fundit të kësaj qeverie kanë qënë dramatike. Në vend të ndërtimit të së ardhmes, sikurse kanë deklaruar ata, ne frikësohemi se e ardhmja po bëhet si një vrimë e zezë dhe jo vetëm për të rinjtë.”

Në protestë morën pjesë edhe studentët të cilët nuk shohin ndonjë të ardhme pas mbarimit të shkollës.

“Shteti nuk do që ne të mendojmë lirisht, por kërkon që të jemi ushtarë të vegjël që u themi po ligjeve të qeverisë. Jemi ngopur duke qëndruar pa bërë fjalë”, thotë studentja 19 vjeçare Greta Gargia.

Kryeministri Renzi ka mbrojtur të drejtën për grevë por këmbëngul se nuk do të tërhiqet nga planet e tij për të reformuar tregun e punës, përpjekje kjo për të luftuar papunësinë e madhe dhe nxjerrë vendin nga recesioni.

XS
SM
MD
LG