Lidhje

Jacobson: Ngërçi politik në Kosovë të zgjidhet nga vetë forcat politike


Ambasadorja e Shteteve të Bashkuara në Kosovë, Tracey Jacobson, e cila ndodhet këto ditë këtu në Uashington, thotë në një intervistë për Zërin e Amerikës, se ngërçi politik në Kosovë duhet të zgjidhet nga vetë forcat politike dhe jo me ndihmën e shteteve të tjera. Duke u ndalur tek radikalizmi islamik, ambasadorja amerikane thotë se autoritetet po e trajtojnë këtë kërcënim me seriozitet dhe ajo bën thirrje për përpjekje të gjithashme nga qeveria dhe shoqëria për përballimin e këtij fenomeni. Lidhur me Gjykatën e Posaçme, zonja Jacobson shton se ajo nuk mund të bëjë komente për një hetim që po vazhdon, por thekson se Kosova duhet të kalojë përmes këtij procesi që të mbyllet ky kapitull i historisë së saj. Me ambasadoren Jacobson bisedoi kolegu Arben Xhixho.

Amb. amerikane Jacobson
please wait

No media source currently available

0:00 0:09:36 0:00

Zëri i Amerikës: Zonja Ambasadore, kanë kaluar tre muaj që nga përfundimi i zgjedhjeve në Kosovë dhe institucionet qeverisëse ende nuk janë krijuar. Cili është mendimi juaj lidhur me këtë ngërç politik në të cilin e gjejnë veten sot politikanët e Kosovës?

Tracey Jacobson: Është e rëndësishme të kujtojmë se kjo është hera e parë që Kosova po kryen zgjedhje të përgjithshme, që kur përfundoi faza a pavarësisë së mbikqyrur. Zgjedhjet ishin të lira e të drejta, në to mori pjesë për herë të parë Veriu dhe është e kuptueshme që kur një vend shkon përmes një procesi të ri, duhet kohë më e gjatë. Unë i respektoj institucionet e Kosovës, jam e kënaqur të shoh politikanët në Kosovë që u drejtohen institucioneve, siç ishte rasti i Gjykatës Kushtetuese. Tani që Gjykata e dha vendimin shpresoj që udhëheqësit politikë do të veprojnë me shpejtësi për të krijuar parlamentin, që të kalohet pastaj në formimin e qeverisë. Nuk na takon ne të themi se si duhet të vazhdojë procesi, ose se si do të ndahen postet, por ne kemi interesa strategjike të përbashkëta me Kosovën, për të cilat duhet parlamenti dhe qeveria. Disa prej tyre janë vazhdimi i dialogut me Serbinë, ngritja e Gjykatës Speciale, krijimi i forcave të armatosura, ligji për ata që luftojnë në vende të huaja dhe një listë e gjatë detyrash për qeverinë dhe parlamentin e ri.

Zëri i Amerikës: Në të kaluarën komuniteti ndërkombëtar ka ndihmuar në krijimin e institucioneve të Kosovës. Ka shumë që mendojnë se edhe këtë herë ju mund të luani një rol të rëndësishëm. Siç thatë ju, këto ishin zgjedhjet e para pas përfundimit të mbikqyrjes së pavarësisë, por jo hera e parë që Kosova ka zhvilluar zgjedhje të lira e të drejta. A mendoni se ju dhe kolegët tuaj në Prishtinë do të luani ndonjë rol për formimin e institucioneve? A jeni ju të gatshëm të ndihmoni duke lehtësuar procesin?

Tracey Jacobson: Nuk mendoj se është roli i ambasadave të huaja të lehtësojnë atë që është një proces i brendshëm politik dhe që kërkon zgjidhje politike të brendshme. Ajo që bëjmë ne si ambasadë amerikane, ose ambasadat e tjera, është të nxisim Kosovën t’i përmbahet procesit sipas ligjeve dhe kushtetutës së vendit për të arritur në një zgjidhje demokratike. Është e rëndësishme që Kosova ta bëjë këtë pa ndërhyrje nga jashtë dhe ky do të ishte një sinjal se Kosova është në fakt një vend i pavarur, me një demokraci funksionuese. Ajo që kemi parë deri tani, me referimin e situatës në Gjykatën Kushtetuese dhe me zhvillimin e zgjedhjeve të lira, unë kam besim se udhëheqësit politikë do të jenë në gjendje t’i japin një zgjidhje situatës. Ne do t’i mbështesim ata, mund t’i këshillojmë si miq por në fund të fundit, kjo është detyra e tyre si udhëheqës të zgjedhur.

Zëri i Amerikës: A mendoni se zgjedhjet e reja mund të shërbejnë si zgjidhje, apo ato nuk janë të këshillueshme?

Tracey Jacobson: Nuk më takon mua ta them. U takon udhëheqësve politikë të Kosovës të vendosin. Unë shpresoj të kemi një parlament dhe qeveri të re në të ardhmen e afërt, për shkak të listës së gjatë të çështjeve që përmenda më lart. Nëse do të vijë puna për zgjedhje të reja, Shtetet e Bashkuara do të jenë të përgatitura ta mbështesin procesin, ashtu siç kanë bërë në të kaluarën, por nuk mund ta përjashtoj mundësinë që në ditët në vazhdim të kemi një parlament dhe qeveri të re.

Zëri i Amerikës: Ndërsa parlamenti i ri pritet të përfundojë punën për krijimin e Gjykatës Speciale, prokurori i posaçëm Klint Williamson, bëri publike disa rezultate të përgjithshme nga hetimet. Cili është mendimi juaj, cili është qëndrimi i Shteteve të Bashkuara për to?

Tracey Jacobson: Shtetet e Bashkuara e kanë mbështetur grupin hetimor të kryesuar nga ambasadori Williamson dhe do ta mbështesë atë edhe në të ardhmen. Ne mendojmë se është shumë e rëndësishme që Kosova të kalojë përmes këtij procesi, kjo është mënyra e vetme që të mbyllet ky kapitull në historinë e saj. Ne mbetëm të kënaqur që qeveria dhe parlamenti i Kosovës morën vendimet e duhura duke mbështetur krijimin e Gjykatës. Do të ishte e papërshtatshme për mua të komentoja lidhur me gjetjet e një hetimi që po vazhdon. Ajo që pritet të ndodhë tani është ngritja e Gjykatës dhe ngritja e mundshme e akuzave ndaj individëve të caktuar. Të pandehurit do të kenë mundësi, si në çdo sistem tjetër drejtësie të pranuar ndërkombëtarisht, që të njihen me akuzat, t’u përgjigjen atyre dhe të jenë pjesë e një procesi gjyqësor të besueshëm. Pa u provuar fajtorë nga gjykata ata janë të pafajshëm. Ne do të vazhdojmë të punojmë me autoritetet e Kosovës, me parlamentin e ri, për të marrë masat e duhura që të krijohet Gjykata.

Zëri i Amerikës: Ka kritikë që thonë se gjetjet e Prokurorit, të botuara në atë mënyrë, pa akuza me emër, kanë dëmtuar imazhin në përgjithësi të Kosovës. A qëndron ky konstatim? A jeni e shqetësuar për këtë?

Tracey Jacobson: Mendoj se udhëheqësit politikë në Kosovë, përfshirë kryeministrin, reaguan në mënyrë të përgjegjshme për raportin. Kryeministri reagoi në të njejtën ditë, duke shprehur angazhimin për të mbështetur procesin dhe mendoj se kjo është një shenjë e maturisë politike dhe mbi këtë bazë ne do të vazhdojmë më tej.

Zëri i Amerikës: Gjatë ditëve të fundit në Kosovë janë arrestuar 40 individë nën akuzat për lidhje me grupin radikal islamik ISIS që lufton në Siri.dhe Irak. Sa shqetësuese është kjo? A kemi të bëjme me raste të izolura, apo ka një radikalizim më të madh në Kosovë?

Tracey Jacobson: Do të dëshiroja të përgëzoja qeverinë e Kosovës, veçanërisht organet e rendit, për punën e shkëlqyer që kanë bërë, që çoi në këto arrestime dhe përgatitjen e terrenit ligjor për vazhdimin e procesit. Kjo tregon se organet e rendit në Kosovë po e trajtojnë me seriozitet kërcënimin. Luftëtarët e huaj, nuk janë një kërcënim i veçantë vetëm për Kosovën. Shumë vende në Evropë dhe Shtetet e Bashkuara janë të shqetësuara për rrezikun që përbëjnë ata. Është e rëndësishme për ne që të bashkëpunojmë për ta përballuar atë. Përsa i përket ekstremizmit islamik në Kosovë, unë takohem shpesh me qytetarë të ndryshëm që ngrejnë shqetësime për të. Unë do të thoja që kjo është një çështje më problematike tani, se sa para dy vjetësh, kur unë mbërrita në Kosovë. Është një çështje që kërkon një shumëllojshmëri masash; bashkëpunim rajonal, bashkëpunim të organeve të rendit, por po ashtu edhe zhvillim social ekonomik, që të rinjtë të kenë mundësira, që të mos tërhiqen nga ideologjia radikale.

Zëri i Amerikës: Cilat mendoni se janë arësyet e radikalizimit të tyre? Në qoftë se situata në Kosovë po përmirësohet, çfarë i motivon ata drejt radikalizmit?

Tracey Jacobson: Është vështirë të thuash. Di që ka patur arrestime të disa imamëve që dyshohet se kanë rekrutuar njerëz për të marrë pjesë në këto luftra të huaja. Ky është një faktor, por nga ana tjetër, ka njerëz që rekrutohen edhe në vendet e zhvilluara. Duhet një përpjekje e përgjithshme e qeverisë, e shoqërisë për ta përballuar këtë fenomen. Ky nuk është Islami i Kosovës. Kosova ka një traditë tolerance fetare me të cilën mund të krenohet. Dhe këtë duan shumica e banorëve të saj. Duke punuar së bashku, kam besim se ata do të ndikojnë që të mos përhapet radikalizmi islamik.

Zëri i Amerikës: Siç përmendët ju, duhet një përpjekje e bashkërenduar nga të gjithë, por a po bëhet kjo në Kosovë?

Tracey Jacobson: Në disa raste po, por mendoj se kjo është pa dyshim diçka me të cilën duhet të merren qeveria dhe parlamenti i ri, përfshirë kalimin e ligjit për pjesëmarrje në luftra të huaja, që u miratua vetëm në leximin e parë në parlament, por pa u miratuar përfundimisht. Ky është një ligj i rëndësishëm. Mendoj se në të ardhmen, veçanërisht me arrestimet e fundit, apo pamjet makabre që kemi parë nga ISIS, pamje barbare dhe çnjerëzore, në Kosovë është krijuar një hapësirë e re për një debat më të madh mbi këto çështje.

XS
SM
MD
LG