Lidhje

Dita e dytë e bombardimeve në Jemen


Avionët luftarakë, për të dytën ditë me radhë, po kryejnë sulme në Jemen, si pjesë e një përpjekjeje rajonale nën udhëheqjen e Arabisë Saudite, për të dëbuar rebelët hauthi, të cilët kanë marrë kontrollin e pjesës më të madhe të vendit.

Media saudite dhe dëshmitarët thonë se avionët e koalicionit janë duke kryer sulme ndaj bazave ushtarake dhe objektivave të tjerë nën kontrollin e rebelëve brenda dhe në rrethinat e kryeqytetit Saana.

Zyrtarët ushtarakë sauditë deklaruan se faza e parë e fushatës së bombardimeve ishte “e suksesshme”, por paralajmëruan se mund të jetë e nevojshme edhe një ofensive tokësore e aleatëve.

"Është shumë e rrezikshme që të kryhen tani operacione ushtarake tokësore në Jemen, jo vetëm për vendet anëtare të Këshillit të Bashkëpunimit të Vendeve Arabe të Gjirit, GCC, por edhe për të gjithë rajonin dhe mbarë komunitetin ndërkombëtar. Synimi imediat i sulmeve ajrore intensive është të ndalohen me shpjetësi sulmet e rebelëve houthi. Por synimi përfundimtar është që të sillen palët përsëri në bisedime dhe të arrihet një konsensus për krizën në Jemen.”

Një koalicion i krijuar me shpejtësi me 10 vende, përfshirë 5 monarki të Gjirit, po përpiqet t’i mundë rebelët houthi që kanë mbështetjen e Iranit, si dhe të rivendosë kontrollin e qeverisë së Jemenit, të njohur nga komunietit ndërkombëtar.

Por udhëheqësi i rebelëve hauthi Abdul Malik al-Houthi thotë se në afat të gjatë, rebelët do ta kapërcejnë agresionin.

"Regjimi saudit, me politika të pakuptimta, të padrejta, shtypëse dhe arrogante ka luajtur kumar, ngaqë ka mbështetjen e Amerikës dhe të disa regjimeve të tjera, që kanë paguar para për ta blerë mbështetjen e tyre; dhe ata u shitën mjaft lirë, për të marrë pjesë në agresionin ndaj një vendi që është një nga më të nderuarit dhe më fisnikët në botë.”

Zyrtarët houthi thonë se të paktën 18 persona u vranë dhe 24 u plagosën në sulmet e djeshme ajrore. Nuk ka patur njoftime për viktima të bombardimeve të sotme.

Përparimi i rebelëve e detyroi presidentin jemenas Abd-Rabbu Mansour Hadi të largohet nga vendi në fillim të javës. Nuk dihej vendodhja e tij deri dje, kur ai u rishfaq në kryeqytetin saudit, Rijad.

XS
SM
MD
LG